Dyshohet se janë të Da Vinçit. Muzeu italian, test ADN-je një tufe flokësh

06/05/2019 23:27

Një muze italian po planifikon t`i kryejë testet e ADN-së një tufe flokësh që thuhet se i përket Leonardo da Vinçit.

Gjeniu i Rilindjes vdiq majin e vitit 1519 dhe u varros në Chateau d’Ambroise. Kështjella u dëmtua keqas gjatë Revolucionit Francez e shumë varre u shkatërruan, përfshirë dhe atë të Leonardos. Por, Alessandro Vezzosi, drejtori i muzeut të kushtuar artistit të madh në vendlindjen e tij, Toskanë, tha se tufa e flokëve ishte marrë në 1863 nga një person i ngarkuar nga një komision mbretëror për të gjetur eshtrat e Da Vinçit.

Në 1925 një koleksionist amerikan e bleu këtë relike në Paris, thotë Vezzosi; më vonë, përpara se të vdiste ai ia shiti një bashkëkombasi të vet, gjithashtu koleksionist; ishte ky i fundit që kontaktoi me muzeun, drejtuesit e të cilit kanë ndërmend ta përdorin për të nxjerrë kampione ADN-je, të cilat t’i krahasojnë me ato të një grupi pasardhësish të Leonardos që janë zbuluar përmes të dhënave gjenealogjike.

Në këtë mënyrë do të verifikohet edhe nëse eshtrat e identifikuara në Francë në 1863 i përkasin vërtetë Da Vinçit. Disa ekspertë megjithatë tregohen skeptikë e thonë se është e pamundur që flokët e paraqitura si një relike fetare, t’i përkasin vërtetë Da Vinçit.

Top Channel