Rusi, arkitektët i bëjnë “makeup” provincës

05/05/2019 21:30

Për dekada me radhë, brigjet e lumit që rrjedh në qytetin rus të Belgorodit, kanë qenë në një gjendje të mjerueshme. Por, vendin e kallamishteve të dikurshme tani e kanë zënë shëtitoret e bukura me banka druri, të vendosura përgjatë gjithë rrjedhës së ujit.

Ideja e krijimit të hapësirave të këndshme publike në vetvete nuk mund të konsiderohet inovatore, por ajo po hedh rrënjë vetëm së fundi në qytetet e planifikuara sovjetike si Belgorodi, në jug të Moskës.

Arkitekti Jezi Stankeviç shprehet: “Ne deshëm të tërhiqnim vëmendjen tek fakti që këtu ka një lumë dhe një zonë të gjelbër përgjatë brigjeve të tij dhe e gjithë kjo është mu në zemër të qytetit. Përse të mos kthehej në një zonë të këndshme ku të kalohet bukur koha e lirë? Ky ishte qëllimi ynë kryesor.

Por, pas kësaj nisme qëndron dhe një plan tjetër. Daria Paramonova, kryetare e Departamentit të Arkitekturës në Strelka KB, theksoi: “Ajo që ne synojmë më fort është që të sigurohemi që njerëzit më inteligjentë, më të talentuar dhe më interesantë të mbeten në këtë qytet. Për këtë arsye dhe në fokus të iniciativës kanë qenë qytete që ishin lënë në harresë, duke i shtyrë njerëzit të largohen. Po flasim tani për luftë për të ruajtur “kapitalin njerëzor”, i cili është në qendër të formimit të ekonomisë urbane”.

Që prej vitit 2010, Kremlini ka shpenzuar miliarda dollarë për përmirësimin e hapësirave publike, veçanërisht përmes një programi federal me të cilin janë dhënë 42.2 miliardë rubla për punimet e rinovimit.

Top Channel