Papa viziton Bullgarinë, por Kisha Ortodokse nuk u bë pjesë e lutjes së përbashkët

05/05/2019 20:42

Nga Bullgaria, ku mbërriti për një vizitë 2-ditore, Papa Françesku i bëri sot thirrje liderëve evropianë të zgjidhin problemin e pabarazisë së thellë ekonomike dhe rënien e ritmeve të lindjeve që kanë krijuar një “perde akulli”, siç u shpreh ai, mes vendeve më të pasura dhe atyre më të varfra të Evropës.

Ati i Shenjtë u shpreh se ky hendek po ushqen emigracionin: “Bullgaria po ndeshet me pasojat e emigracionit të dekadave të fundit. Mbi 2 milionë shtetas të saj janë larguar në kërkim të një jete më të mirë dhe mundësive më të shumta. Bullgaria duhet të merret gjithashtu edhe me një fenomen që do ta quaja “dimri i ri” problemin demografik që ka rënë si perde akulli mbi një pjesë të madhe të Europës dhe reflekton rënien e besimit tek e ardhmja”.

Bullgaria, e cila u anetarësua në Bashkimin Evropian në vitin 2007, është shteti më i varfër i BE-së. Mbi dy milionë bullgarë janë larguar prej saj që nga rënia e komunizmit. Pas vizitës në Bullgari, Ati i Shenjtë do të shkojë në Maqedoninë e Veriut, vendlindjen e Nënë Terezës.

Françesku, papati i të cilit ashtu si dhe ai i paraardhësit, nuk i ka shpëtuar dot tronditjes së shkaktuar prej akuzave të abuzimeve seksuale të priftërinjve me të mitur, e ka kthyer në prioritetin e tij përmirësimin e dialogut ndërfetar, megjithatë Sinodi i shenjtë i Kishës Ortodokse bullgare e kundërshtoi idenë e pjesëmarrjes në një lutje të përbashkët për paqen, që është planifikuar të mbahet të hënën në një shesh të Sofjes.

Top Channel