Krahas ceremonisë përkujtimore në varrezat e “Dëshmorëve të Kombit”, më 5 Maj në Tiranë do zhvillohet edhe dita pa makina. Rrugët e kryeqytetit do të jenë pa makina për t’ia kushtuar të gjithë hapësirën këmbësorëve, ndërsa Bashkia e Tiranës ka organizuar aktivitete për të gjitha grupmoshat.
Drejtoresha për Rininë në Bashkinë e Tiranës, Aspasjana Kërxhalli ftoi të gjithë qytetarët e Tiranës që të bëhen pjesë e aktiviteteve festive në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Sheshin “Nënë Tereza”, Sheshin “Skënderbej” dhe në Parkun e Liqenit Artificial.
“I ftojmë të gjithë qytetarët e Tiranës të bëhen pjesë e “Ditës pa makina” sepse do të ketë një sërë aktivitetesh. Ato do të përqendrohen në Sheshin “Skënderbej”, për të vijuar përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, tek Sheshi “Nënë Tereza”, dhe në Parkun e Liqenit. Në sheshin “Skënderbej” do ketë një koncert nga kori i Liceut Artistik, panairi i organizatave rinore, panairi i librit, kurse në lulishten para bashkisë do të mbahet ceremonia e vendosjes së pikturave të partizanëve, ndërkohë që sërish në shesh do të jetë një zonë kushtuar fëmijëve”, tha Kërxhalli.
Një vend të veçantë do të zërë edhe panairi i bujqësisë para Ministrisë së Bujqësisë, ku qytetarët mund të njihen me disa nga produktet e zonës, e për të vijuar më tej me panairin e operatorëve turistikë. Ndërkaq, në parkun “Rinia” zhvillohet finalja e lojërave olimpike për shkollat 9-vjeçare, duke vijuar përgjatë gjithë bulevardit me aktivitete të ndryshme sportive, volejboll, basketboll, kalceto, ping-pong etj.
Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe Sheshin “Nënë Tereza” do të zhvillohet edhe Panairi i antikuarëve të Tiranës, ndërsa do të ketë edhe një ceremonial i skulpturave të Partizanëve. Gjithashtu, është menduar një program i pasur artistik, ku nuk do të mungojë Kori i Shkollave të Mesme, shfaqja e filmave të vjetër shqiptarë me temë nga LANÇ etj.
“Do ketë një performancë nga balerinë profesionistë, ku subjekti i kërcimit të tyre do t’i dedikohet Luftës Nacional-Çlirimtare. Përgjatë gjithë sheshit “Skënderbej”, por edhe në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, do ketë ekrane me filmat që i dedikohen Luftës së Dytë Botërore dhe asaj Nacional-Çlirimtare. Në një skenë të vendosur përpara Kryeministrisë do të performojë Ansambli Kombëtar i dancit sportiv. Ndërkohë, në të gjitha lulishtet e Tiranës do të ketë grupime me këngë partizane, një formë improvizimi me studentët e Akademisë së Arteve dhe Liceut Artistik. Nuk do të mungojë as muzeu i hapur dedikuar luftës së Dytë Botërore”, tha Drejtoresha për Rininë në Bashkinë e Tiranës.
Tek Pallati i Kongreseve do të jetë e vendosur një tjetër skenë, për korin e Liceut Artistik e dirigjuar nga dirigjentja e mirënjohur Suzana Turku. Në këtë 5 Maj, në Sheshin “Nënë Tereza” mbahet Panairi i Ushtrisë, ku do të ekspozohen disa nga asetet e Forcave të Armatosura, përkatësisht të Forcës Ajrore, të Forcës Tokësore, të Forcës Detare, gomone dhe polumbarë, e mjete të tjera të detarisë.
Për të garantuar mbarëvajtjen e aktiviteteve të shumta dhe për t’i dhënë mundësi qytetarëve që të festojnë qetësisht, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim edhe me Policinë e Shtetit, ka marrë të gjitha masat për kufizimin e qarkullimit të automjeteve në disa prej rrugëve.
Shefi sektorit të kontrollit të territorit, në Bashkinë e Tiranës, Toni Beni u bëri thirrje gjithë drejtuesve të automjeteve që nesër të lënë automjetet e tyre në shtëpi, teksa sqaroi edhe akset ku do të kufizohet qarkullimi. “Ditën e diel do të ketë një bllokim të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke filluar nga sheshi “Skënderbej” deri në sheshin “Nënë Tereza”. Nga ora 8:00 e mëngjesit, deri në orën 17:00, ky shesh do të jetë i bllokuar për lëvizjen e makinave. Gjithashtu, edhe rrugët ndërlidhëse, ose që ndërpresin bulevardin “Dëshmorët e Kombit” do të jenë të bllokuara. Policia Bashkiake, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, do të marrin masa edhe në lidhje me sigurinë e aktiviteteve”, deklaroi Toni Beni.
Top Channel