“Dita e Dëshmorëve” pa makina, Bashkia: Segmentet ku kufizohet qarkullimi

04/05/2019 18:38

Bashkia e Tiranës rikthen këtë 5 Maj nismën e “Ditës pa makina”, me synimin për ndërgjegjësimin e qytetarëve që të shmangin të paktën për një ditë automjetet e tyre, si ndotëset kryesore të ajrit.

Për mbarëvajtjen e aktiviteteve të shumta që janë parashikuar gjatë kësaj të diele, por edhe për t’iu dhënë mundësi qytetarëve që të festojnë qetësisht, Bashkia e Tiranës ka marrë të gjitha masat në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Policinë Bashkiake, për kufizimin e qarkullimit të automjeteve në disa prej rrugëve të qytetit.

Sipas planit, qarkullimi i automjeteve kufizohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nga ora 08:00 deri në orën 17:00. Kufizime do të ketë edhe në sheshin “Nënë Tereza”, deri mesnatën e datës 6 maj.

Qarkullimi i automjeteve, mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit do të bëhet në rrugët “Ibrahim Rrugova”, “Lek Dukagjini” dhe “Papa Gjon Pali II”.

  Nesër dita pa makina; Bllokohet Bulevardi dhe të gjitha rrugët që lidhen me të

Por si do të devijohet trafiku për mjetet e transportit urban të qytetit?

– Linja e Unazës do të devijohet në urën e rrugës “Sami Frashëri” me urën e rrugës “Elbasanit”.
– Linja “’Tirana e Re”, “Kopshti Zoologjik” do të devijohen te sheshi “Wilson”, ura e Drejtorisë së Policisë.
– Linja “Kristali” do të devijohet te sheshi “Wilson” dhe ish Stacioni i Trenit.
– Linja “Kinostudio-Kombinat”, do të devijohet tek Sheshi “Medresesë”, si dhe përballë kishës Ortodokse.
– Linja “Kashar” do të devijohet te “Kafe Flora”, Kisha Ortodokse.
– Linja “Megatek” dhe “Instituti” do të devijohen te “Kafe Flora”.
– Linja “Qyteti Studenti”, “Jordan Misja”, “Sauk”, dhe “Sanatorium” do të devijohen te Fakulteti Ekonomik.
– Linja “Mihal Grameno” do të devijohet te ura pranë rrugës së “Elbasanit”.
– Linja “Materniteti i Ri” do të devijohet te ura pranë rrugës së “Elbasanit” dhe kishës Ortodokse.
– Linja “Sharra” do të devijohet tek ish Stacioni i Trenit, si dhe përballë kishës Ortodokse në rrugën e “Kavajës”.
– Nga ora 00:00 deri në orën 08:00 e datës 05 Maj dhe nga ora 17:00 deri në orën 00:00 linjat “Tirana e Re” dhe “Kopshti Zoologjik” do të kthehen te Blv. “Dëshmorët e Kombit” dhe do të stacionohen te hotel “Rogner”.

Më 5 Maj, përveç homazheve në të gjitha varrezat e dëshmorëve, Bashkia e Tiranës ka organizuar edhe një numër të madh dhe të larmishëm aktivitetesh festive për të gjitha moshat, nga më të vegjlit deri te më të moshuarit dhe nostalgjikët e viteve të luftës kundër pushtuesve nazifashistë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA