Me një deklaratë që tingëllon si presion për Europën, ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin tha se vendi i tij në aspektin strategjik është i orientuar drejt saj, por nëse Europa nuk e dëshiron, atëherë ekzistojnë aleatë të tjerë për Serbinë.
“Ne e duam, është orientimi ynë strategjik. Duam që t’iu përkasim vlerave europiane dhe të bashkëpunojmë, por jo t’iu lutemi atyre për të hyrë në bllok. Jo me këtë çmim”, u shpreh Vulin për televizionin “Pink”.
“Nëse nuk na duan, ka aleanca të tjera, kombe të tjera që duan të bashkëpunojnë me ne, në pozita të barabarta”, vazhdoi ai.
Ministri i njohur për qëndrimin prorus kujtoi se Europa e ka bërë të qartë që është e lodhur nga zgjerimi. “Por edhe ne jemi të lodhur nga ju”, ishte komenti i tij. “Jemi të lodhur nga politika juaj e objektivave që ndryshojnë gjithë kohën dhe nga vendosja vazhdimisht e kushteve të reja”.
Ndonëse e synon integrimin në Bashkimin Europian, Serbia vazhdon të mbajë lidhje të ngushta me aleaten e saj të hershme, Rusinë. Gjatë vizitës së presidentit rus Vladimir Putin në Beograd, më 17 janar, u nënshkruan disa marrëveshje bashkëpunimi, ndërsa shefi i Kremlinit u prit në Beograd si të ishte një yll “Rock”-u.
Top Channel