Hetimet për grabitjen në Aeroportin e Rinasit janë ende në vijim, ndërsa në një lidhje të drejtpërdrejtë për edicionin informativ të mesditës në Top Channel, gazetarja Anila Hoxha solli të rejat më të fundit.
Zhvillimi më i fundit ka lidhje pikërisht me kallëzimin e Irini Muratajt, e cila është vajza e grabitësit të vrarë, Admir Murataj. Ajo kallëzoi një ditë më parë përmes avokatit mbrojtës Policinë e Shtetit, si dhe kërkon hetimin e zbardhjen e mekanizmit sesi u qëllua dhe u vra grabitësi i 9 prillit Admir Murataj.
Këtë të premte, Prokuroria për Krimet e Rënda nuk ka hedhur shortin për këtë kallëzim penal, por ia ka bashkëngjitur dosjes në tërësi që ka lidhje me grabitjen e 9 prillit. Kjo do të thotë se i njëjti grup prokurorësh, 3 të tillë dhe disa oficerësh policie gjyqësore, do t’i japin përgjigje edhe kallëzimit të Irini Muratajt, e cila pretendon se oficerët e Policisë së Shtetit kanë tejkaluar detyrën teksa vranë Admir Muratajn.
Ndërkohë, Prokuroria është ende në pritje të ekspertizës për vrasjen e Admir Muratajt, që do të vijë nga Mjekësia Ligjore dhe ekspertë të Kriminalistikës, të cilët vazhdojnë të kryejnë ekspertizën e armëve të përdorura nga Policia e Shtetit, veçanërisht nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë ditën e 9 prillit, kur edhe ndodhi grabitja.
Nga ana tjetër, Policia e Shtetit dhe grupi hetimor i kanë orientuar hetimet në dy fronte. Nga njëra anë vazhdojnë të kërkojnë gjurmë të vlerave monetare të grabitura në Aeroportin e Rinasit, me kërkimet që janë përqëndruar në Tiranë, në Nikël, në fshatin Dritas ku u fshehën për disa orë grabitësit e 9 prillit, në Elbasan dhe në zonën e Gramshit. Por nuk përjashtohen edhe vëzhgimet ndaj disa personave që janë kryesisht lidhje dhe të njohur apo familjarë të personave të dyshuar si bashkëpunëtorë apo organizatorë të grabitjes së 9 prillit.
Në kërkim vazhdon të jetë ndërkohë Klement Çala dhe i vëllai Eldi Çala, për të cilët – sikurse thuhet në rrugë jozyrtare nga Policia e Shtetit, – ka një udhëzim të dhënë oficerëve të Policisë së Shtetit se, në rast se ata konstatojnë Klementin apo bien në gjurmë të Eldit do të thirret menjëherë RENEA, që është e specializuar për arrestimin dhe ndalimin e personave me rrezikshmëri të lartë, sikurse është Klement Çala, një person i arratisur nga burgu i Trikallasë në vitin 2013, kohë prej së cilës për të nuk ka asnjë gjurmë.
Ndërkohë, oficerët e Policisë Gjyqësore janë dërguar në paraburgim nga 3 prokurorët e çështjes për të marrë në pyetje disa prej personave të arrestuar. Ata kanë vazhduar të mbajnë qëndrim mohues dhe të përjashtojnë veten nga grabitja e 9 prillit. Ende nuk është vendosur ndërkohë nëse Alkond Bengasi do ta marrë apo jo statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, megjithëse ai ka dhënë një dëshmi me interes për hetimin. Pavarësisht se ka dhënë disa emra të dyshuarish, në total 9 persona, prokurorët mendojnë paraprakisht se edhe rrëfimi i tij ka kontradikta, arsye për të cilën do të ripyetet sërish.
Top Channel