“Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit e gjen sot Shqipërinë të renditur ndër vendet me liri të pjesshme të medias”. Me këtë frazë dhe një mesazh drejtuar gazetarëve shqiptarë e ka nisur Presidenti i Republikës këtë të premte, që shënon gjithashtu edhe Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit.

“Shqetësimet e thella të ngritura në raportet e fundit të ‘Freedom House’ dhe ‘Reporterëve pa kufij’, për fatin e keq vijojnë të hasin në vesh të shurdhët. Shtypi ynë sot, edhe sipas këtyre organizatave, është më pak i lirë dhe i pavarur, mediet goditen nga retorika agresive dhe kërcënuese, rastet e dhunës ndaj gazetarëve janë shpeshtuar dhe tentativat për të përdorur fondet publike për të kontrolluar lirinë e shprehjes janë alarmante”, shkruan më tej Meta.

Sipas presidentit, kjo situatë duhet të marrë fund.

“Media e lirë luan rol kyç për të garantuar llogaridhënien dhe mirëqeverisjen. Praktikat e mohimit të së drejtës së gazetarëve për të ndjekur drejtpërdrejt veprimtarinë e autoriteteve publike duhet të ndalen, sepse çdo goditje ndaj institucionit të medias është sulm ndaj demokracisë”, vijon mesazhin kreu i Shtetit.

Më tej, thirrja drejtuar gazetarëve.

“Të dashur gazetarë,
Duke ju uruar këtë ditë, ju ftoj pa humbur kohë të unifikoheni në qëndrime, larg autocensurës, të denonconi hapur dhunën, shantazhin e presionet, gjuhën e urrejtjes e frikësimit, por dhe kushtet e papërshtatshme të punës. Ndryshimi është në dorën tuaj dhe fillon nga përhapja e informacionit të vërtetë, pa pritur më që lirinë e shprehjes t’ua servirë politika apo grupet e saj klienteliste. Të dashur gazetarë që keni vendosur të mos tradhëtoni profesionin e misionin tuaj, jam pranë jush dhe sakrificave që bëni për të mbrojtur dinjitetin tuaj dhe fjalën e lirë! Ju do triumfoni sepse shqiptarët s’mund të kthehen 30 vite pas për të ndjekur Zërin e Amerikës apo Deutsche Welle-n, që të kuptojnë se çfarë ndodh në atdheun e tyre”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA