Prokuroria e Krimeve të Rënda ia bashkoi dosjes së 9 prillit kallëzimin e Irini Muratajt , vajzës 23 vjeçare të Admir Muratajt, grabitësi i vrarë në këtë ngjarje.
Siç shprehen burimet nuk është hedhur short për të ngritur një grup hetimor të veçantë, përderisa tre prokurorë po zbardhin dinamikën dhe kanë ngritur disa pista, për të dyshuarit dhe bashkëpunëtorët e tyre që rrëmbyen mbi pesë milionë euro në aeroportin e Rinasit.
Përveç përpjekjeve për të gjetur të gjithë anëtarët e grupit kriminal, Prokuroria po heton edhe për grabitje me dhunë e për shpërdorim detyre, dhe krahas këtyre veprimeve akuza do të verifikojë edhe mekanizmin se si u qëllua për vdekje njëri nga grabitësit.
Nga ana tjetër nuk ka ende një përgjigje nga laboratori i kriminalistikës se me çfarë arme u qëllua Murataj, të cilit ju gjetën në trup një arsenal armësh mes tyre edhe kallashnikov dhe granata.
Por përmes avokatëve Irini Murataj pretendon se policia ka tejkaluar detyrën, një version ku ka pak mundësi të vërtetohet përderisa efektivet e ndërhyrjes së shpejtë kanë përshkruar në raport shërbimin se ishin në ndjekje të pandërprerë të grabitësve , menjëherë sapo ata kanë dalë nga aeroporti dhe se më pas u gjendën nën breshërinë e armëve të tyre, çka ka shkaktuar edhe shkëmbimin e armëve të zjarrit. Ky version mbështetet edhe nga dëshmitarë që janë banorë të zonës.
Njëkohësisht policia vazhdon kërkimet për gjetjen e vlerave monetare por edhe për arrestimin e disa të dyshuarve , mes tyre edhe Klement Çala e Eldi Çala, për të cilët siç është diskutuar , nëse bihet në gjurmët e tyre, për arrestimin e tyre do të angazhohet RENEA që është njësia e vetme e specializuar për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë.
Top Channel