Ministrja e Drjtësisë, Etilda Gjonaj, në vijim të luftës kundër korrupsionit, ka njoftuar marrjen e 8 masave disiplinore.
Në një deklaratë për mediat, Gjonaj u shpreh se janë konstatuar disa shkelje në Institutin e Shëndetit Publik, e për këtë arsye janë shkarkuar nga puna tre persona, përkatësisht: Nëndrejtori i përgjithshëm i Institutit të Shëndetit Publik; Përgjegjësi i Sektorit të Sëmundjeve Infektive; Mjeku i Sektorin e Sëmundjeve Infektive.
Gjithashtu janë rekomanduar masat “Vërejtje me paralajmërim për largim nga puna”, për anëtarët e komisionit të shqyrtimit të ankesave, për procesin e vlerësimit të operatorëve ekonomikë, konkretisht:
Përgjegjësin e Departamentit të Informimit Shëndetesor, Teknologjisë dhe Komunikacionit
2 Specialistë në Sektorin e Zhvillimit të Teknologjisë së Informacionit dhe në Sektorin e Kërkimit në Popullatë
Deklarata e plotë:
Jam sot në këtë komunikim publik për të ndarë me ju, si çdo javë, disa nga masat e marra në luftën kundër korrupsionit.
Strukturat Antikorrupsion kanë verifikuar në Institutin e Shëndetit Publik, Tiranë, zbatimin e ligjshmërisë së procedurave të ndjekura gjatë procesit të prokurimit të një shërbimi shumë të rëndësishëm siç është “Shërbimi i dezinfektimit në zonat bregdetare dhe urbane”, për zonat Shkodër, Lezhë, Tiranë, Durrës, Fier dhe Vlorë.
Në përfundim të kontrollit u konstatuan disa shkelje të ligjit për prokurimin publik, veçanërisht të rënda në kuadër të procesit të vlerësimit të ofertave sikundër dhe në fazën e shqyrtimit të ankesave, duke evidentuar se nuk janë përdorur të njëjtat kritere për vlerësimin e ofertuesve.
Për këtë arsye, janë rekomanduar 8 masa disiplinore si më poshtë:
“Largim nga puna”, bazuar në legjislacionin përkatës, për anëtarët e KVO-së, konkretisht:
Nëndrejtorin e përgjithshëm të Institutit të Shëndetit Publik;
Përgjegjësin e Sektorit të Sëmundjeve Infektive;
Mjekun në Sektorin e Sëmundjeve Infektive;
Gjithashtu janë rekomanduar masat “Vërejtje me paralajmërim për largim nga puna”, për anëtarët e komisionit të shqyrtimit të ankesave, për procesin e vlerësimit të operatorëve ekonomikë, konkretisht:
Përgjegjësin e Departamentit të Informimit Shëndetesor, Teknologjisë dhe Komunikacionit
2 Specialistë në Sektorin e Zhvillimit të Teknologjisë së Informacionit dhe në Sektorin e Kërkimit në Popullatë
si dhe “Vërejtje” për:
Përgjegjesin e Sektorit të Laboratorëve (Shëndeti dhe Mjedisi)
Specialistin Entomolog
Janë rekomanduar gjithashtu edhe masa administrative për përmirësimin e veprimtarisë të institucionit, me qëllim përmbushjen e detyrimeve ligjore në bazë të shkeljeve të konstatuara nga inspektimi i kryer nga Task Forca Antikorrupsion.
Gjithashtu, nga strukurat kundër korrupsionit, në Policinë e Shtetit, për periudhën nga javën që lamë pas janë evidentuar 11 vepra penale në fushën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës, duke proceduar penalisht 15 autorë.
Për të gjitha rastet e evidentuara, nga strukturat për hetimin e korrupsionit janë kryer veprimet hetimore dhe referuar në Prokurori, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” si dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion, siguroj që një vëmendje të shtuar do të vijohet t’i kushtohet masave për parandalimin dhe goditjen e praktikave korruptive nga çdo drejtues apo punonjës në administratën publike, me fokus institucionet të cilat ofrojnë shërbime ndaj qytetarëve në fushat e arsimit, shëndetësisë dhe agjencitë e trajtimit të pronës.
Dua të ftoj qytetarët të vijojnë të na mbështetin me denoncimet e tyre pranë Platformës së Bashkëqeverisjes, shqiperiaqeduam.al, nëpërmjet së cilës ata janë bërë pjesë në vetë të parë në angazhimin e qeverisë për të luftuar korrupsionin.
Në këtë angazhim të rëndësishëm ne kemi patur dhe vijojmë të kemi mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë, mbështetje e shprehur me vlerësime shumë të mira për punën dhe rezultatet e bëra deri tani. Në mënyrë të veçantë vlerësime pozitive janë dhënë dhe për përkushtimin dhe seriozitetin me të cilin qeveria është duke luftuar fenomenin e korrupsionit dhe trajtimin e pasojave që ky fenomen ka në ekonominë e vendit dhe mbi forcimin e shtetit ligjor.
Top Channel