Pas samitit të djeshëm në Berlin, ku në fokus ishte konflikti mes Kosovës dhe Serbisë si presidenti serb, Aleksandar Vuçiq edhe ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq kanë kometuar në Beograd zhvillimin e tij.

Pas samitit të Berlinit të zhvilluar të hënën më 29 Prill, një iniciativë e përbashkët gjermano-franceze, politikanët kryesorë serbë e kanë komentuar atë në Beograd. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e vlerësoi pozitivisht samitin e fundit në Berlin, sidomos rolin e rëndësishëm të kancelares Angela Merkel dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, duke i falënderuar për angazhimin. “Ata ishin shumë racionalë me sjellje mjaft serioze e të përgjegjshme në përpjekjet për të gjetur një zgjidhje për të vazhduar dialogun”, tha Aleksander Vuçiq. Por ai u shpreh se nuk duam listën e dëshirave të tyre. “Serbia kishte vetëm një kusht, që ishte heqja e doganave. Të tjerët mendonin se është më e rëndësishme që taksat të mbeten… e kam thënë që as nuk shtrohet për diskutim që ata të na kushtëzojnë dhe ne nuk e duam një listë të dëshirave të tyre, sepse ata këmbëngulën vetëm për njohjen e Kosovës “, tha Aleksandar Vuçiq.

Pjesëmarrjen e Serbisë në samitin e Berlinit, Vuçiq e sheh si serioze dhe të përgjegjshme, por paralajmëron publikun serb se mund të ketë edhe shumë probleme. Aleksandar Vuçiq komentoi edhe takimin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj me ambasadorin e SHBA-së në Berlin, Richard Grenelle, në vend që të takonte Federica Mogerinin. Ai tha se kjo është diçka “interesante”, por delegacioni serb e ka pranuar mikpritjen e saj.

Daçiq: Samiti i Berlinit joadekuat
Edhe ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq reagoi në Beograd samitin e Berlinit. Ai tha se suksesi më i madh i takimit në Berlin do të kishte qenë “nëse Prishtinën do ta kishin bindur që ta tërhiqte atë vendim të paarsyeshëm”. Daçiq ka komentuar deklaratën e ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin se “sa më shpejt të jetë e mundur duhet të bëhet përcaktimi i kufijve”. Daçiq theksoi që ajo ka qenë “ideja e tij dhe se kjo do të ishte një zgjidhje racionale dhe pragmatike që do të mbyllte konfliktin më të madh dhe më të gjatë në Ballkan. Kjo zgjidhje mund të jetë baza për një marrëveshje të qëndrueshme dhe kompromisi midis serbëve dhe shqiptarëve “.

Ministri i Jashtëm serb u shpreh, se Prishtina nuk dëshiron që të ketë dialog, “por vetëm njohje të pavarësisë së Kosovës. Por njohja e Kosovës me kufijtë aktualë është mision i pamundur” ka thënë Daçiq.

Ndërkohë ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq e sheh formatin e samitit të Berlinit si “jo adekuat”. Ivica Daçiq mendon, që takimi në Berlin ishte parapërgatitje “e presionit total të iniciatorëve mbi Beogradin”, duke shtuar se “krerët e Ballkanit Perëndimor nuk kanë asgjë për të thënë në lidhje me marrëdhëniet Beograd-Prishtinë”. Edhe Daçiq nuk e mohoi, se takimi i organizuar ishte qëllimmirë, por gjithashtu shtoi se “Prishtina padyshim që ka mbështetjen e dikujt që është aq kokëfortë”.

Top Channel