Edi Rama thotë se Ramush Haradinaj gënjen për bisedat informale që janë zhvilluar në Berlin dhe se ai nuk i ka bërë presion kryeministrit të Kosovës për të hequr taksën ndaj Serbisë.
E vërteta ime, thotë Rama, ka shumë dëshmimtarë.
“Askush s’i ka bërë Ramushit presion në Berlin për të hequr taksën. Unë jo e jo. Madje askush as i’a ka kërkuar hiç që ta heqë taksën! Unë jo e jo. Përkundrazi.
Kancelarja Merkel dhe Presidenti Macron, kanë nxitur një diskutim informal në holl mbi rifillimin e dialogut. Kam ndërhyrë vetëm njëherë, duke thënë se ata duhet te hynin vetë në proces. Më tutje i kanë kërkuar me shumë durim dhe disa herë Ramushit jo ta heqë taksën, po thjesht të japë pëlqimin që taksa të pezullohet përkohesisht, për 6 muaj apo edhe për 4 muaj qoftë, duke u zotuar që të hyjnë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi ata vetë. Edhe të dy personalisht, kancelarja dhe presidenti!
I kam sugjeruar Ramushit në dy momente ta pranojë këtë kërkesë të tyre, sepse kam menduar dhe mendoj që perfshirja direkte në nivelin më të lartë e Gjermanisë dhe Frances, boshtit të Bashkimit Europian, u shfaq si një mundesi e re dhe shume e favorshme për ta shtruar çështjen e finalizimit të dialogut, në nivelin më të lartë të mundshëm”, shprehet Rama në Facebook.
Rama thotë se e ka mbështetur dhe e mbështet edhe sot taksën si një “klithëm” të Kosovës që ta dëgjojë bota dhe si të tillë edhe e kam mbrojtur, thekson ai, kudo e me këdo: “Po unë di që ajo është një taksë që i është vënë Serbisë, jo një mur që i është vënë Gjermanisë, Francës apo SHBA, për t’i ndaluar ta ndihmojnë e ta mbështesin Kosovën, në rrugën e përpjekjes së mundimshme historike drejt njohjes përfundimtare nga gjithë bota. Dhe kur këta aleatë të mëdhenj dhe të pazëvendësueshëm dot nga askush e askurrë kërkojnë thjesht pezullimin e përkohshëm të taksës, në mënyrë që të mund ta ndihmojnë e ta mbështesin Kosovën drejt njohjes së saj të plotë ndërkombëtarisht, refuzimi është i pakonceptueshëm për mua.
Shtoj këtu se me ka mbetur gozhdë fakti që miqtë e mëdhenj, hasën në një refuzim të pashpjegueshëm edhe kur propozuan që përkundër pezullimit të përkohshëm të taksës, nëse në fund të muajve të dialogut nuk do të arrihej objektivi final i nënshkrimit të paqes, atëherë do t’i hapej përfundimisht rrugë liberalizimit të vizave për Kosovën(!)”
Rama thotë publikisht se ai është sulmuar si nga Haradinaj dhe nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Rama thotë se Haradinaj ka të drejtën e tij të flasë në emër të Kosovës, po mua, thekson ai, s’ma heq dot askush të drejtën të flas për Kosovën.
Top Channel