Dy grupimet më të mëdha të sindikatave në vend, Bashkim i Sindikatave  të Pavarura të Shqipërisë i Gëzim Kalasë dhe Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë e Kolë Nikollës, e bënë pushim “1 Majin”, të paktën nuk lajmëruan asnjë aktivitet publik.

Në 28 vite ekonomi tregu e lirë, punëtorët në Shqipëri janë pothuajse të papërfaqësuar për të drejtat e tyre. Kjo ka dhënë efekte jo të vogla në kushte e punës dhe pagat e ulëta.

Sipas INSTAT, në fund të vitit që shkoi, paga mesatare bruto arri 52,312 lekë, me rritje vjetore 3,4%,  por gjithsesi niveli më i ulët në rajon gjykon Fondi Monetar ndërkombëtar. Qytetarët thonë se niveli i pagave nuk është i kënaqshëm.

“Ku ka paga këtu. Nuk ka pagë fikse për pagën. Dhe atë ditë që punoj, e bëj në të zezë”, tha një qytetar.

Ndërsa një zonjë u shpreh se këtu nuk ka paga dhe se të rinjtë po largohen për këtë arsye.

“Unë jam inxhinier pyjore. Në kohën e xhaxhit, ka qenë e mirë se merrja 10 mijë e 700 lekë. Këtu paguhet një deputet pa shkollë dhe jo specialistët”, tha një tjetër qytetar.

Rreth 690 mijë të punësuar figuronin në regjistrin e tatimeve deri në mesin e 2018. Shifra ka luhatje të vogla kushtëzuar nga lëvizjet në tregun e punës. Paga mesatare në shtet është 63.276 lekë, ndërsa në privat 47.299 lekë. Më të paguarit në Shqipëri janë ato që punojnë në aktivitete financiare, me një pagë mesatare bruto prej 111.626  lekë, të ndjekur nga ligjvënësit dhe punonjësit e lartë shtetëror, me 101.886 lekë në muaj. Specialistët me arsim të lartë, paguhen mesatarisht 70.032 lekë në muaj.

Hendeku është i madh me punëtorët e thjeshtë, të cilët kanë një pagë mesatare kufirin e poshtëm të pagës së tatueshme, me rreth 31 mijë lekë në muaj, kurse shitësit dhe sektori i ndërtimit janë po ashtu në nivele të ulëta me përkatësisht 38.235 lekë dhe 43.475 lekë në muaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA