Universiteti i Cambridge mund të jetë ndër më prestigjiozët në botë, por e kaluara e tij mund të mos jetë edhe aq shumë për t’u krenuar. Megjithatë, flasim me “mund”, për sa kohë që po kryhen hetime.

Nga Britania raportohet se universiteti i famshëm ka nisur një studim që do të kërkojë dy vite kohë, për të hulumtuar në arkivat e saj mbi dyshimet për lidhje historike me skllavërimin dhe nëse ka përfituar ndihma financiare nga tregtia e skllevërve.

“Është diçka e drejtë që Cambridge të shqyrtojë nëse ka qenë i ekspozuar apo jo ndaj përfitimeve prej punës së detyruar”, tha zv.kancelari Stephen Toope. “Ne nuk mund ta ndryshojmë të shkuarën, por nuk duhet asesi ta fshehim apo t’i fshihemi asaj”, shtoi ai, me profesorin që kërkon të ndihmojë që universiteti “të pranojë rolin e tij gjatë epokës së errët të historisë së njerëzimit”.

Një grup këshilltarësh është ngritur gjithashtu, i kryesuar nga profesor Martin Millett dhe i vendosur në Qendrën e Studimeve Afrikane, që do të ekzaminojë arkivat e universitetit, bibliotekat dhe muzeumet për të gjetur lidhjet e mundshme me skllavërinë.

“Aktualisht nuk mund të dimë saktësisht se çfarë do të zbulojmë, por është e arsyeshme të prezumojmë se, sikurse edhe shumë institucione të mëdha britanike gjatë epokës kolonizatore, edhe universiteti të ketë përfituar, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo”, tha Millett. “Përfitimet mund të kenë qenë të natyrës financiare, ose në formë dhuratash”.

Gjatë studimit do të shqyrtohet gjithashtu nëse universiteti ka luajtur rol në luftën kundër skllavërisë. Universitetet në Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara janë përballur kohët e fundit me kritika të ashpra dhe pikëpyetje, nëse kanë përfituar nga skllavëria apo puna e detyruar, veçanërisht gjatë shekujve XVIII dhe XIX.

Top Channel