Presidenti Xi Jinping u kërkoi të rinjve të Kinës të jenë besnikë ndaj Partisë Komuniste, teksa tentoi të ndizte ndjenjat patriotike në një fjalim nacionalist që shënoi 100-vjetorin e një proteste studentore.

Xi mbajti një fjalim gati një orësh në godinën e Parlamentit në Pekin për të përkujtuar Lëvizjen e 4 Majit, një protestë historike kundër kolonializmit dhe imperializmit që shenjoi Kinën në vitin 1919.

Fjalimi erdhi ndërkohë që partia përballet me një ekonomi në ngadalësim dhe një seri përkujtimoresh të rëndësishme politike, përfshi këtu edhe 30-vjetorin e dhunës së ushtruar ndaj protestuesve në sheshin “Tiananmen” më 4 qershor të 1989-s.

“Është me të vërtet e turpshme nëse një person nuk është patriot, apo përpiqet të mashtrojë apo tradhtojë vendin e tij. Për një person të tillë nuk ka vend këtu dhe askund tjetër në botë”, u tha Xi Jinping të rinjve, punëtorëve, ushtarëve dhe kadetëve të Partisë Komuniste, shumica e të cilëve mbanin shënim teksa ai fliste.

“Në Kinën e kohëve të sotme, thelbi i patriotizmit është kombinimi mes dashurisë së vetme dhe të përjetshme për vendin, me dashurinë për partinë dhe socializmin”, tha ai. “Rinia kineze e këtij brezi duhet të dëgjojë fjalën e partisë dhe të ndjekë gjurmët e partisë”.

Protesta e 4 majit të vitit 1919 ishte një lëvizje që nisi pasi 3.000 studentë të Universitetit të Pekinit marshuan në sheshin “Tiananmen” në shenjë pakënaqësie ndaj dorëzimit të interesave gjermane në Kinë te Japonia, në fund të Luftës së Parë Botërore. Protestuesit bënë thirrje për një zgjim kulturor dhe politik për modernizimin e Kinës.

Top Channel