Gjykata ka dhënë masën arrest me burg për Ragip Hajdinin, ndërsa gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha ka zbardhur dëshminë e tij para trupit gjykues.

Hajdini është i dyshuari i 6 për grabitjen e Rinasit. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa 50 vjeçari mbajti qëndrim mohues. Ai dyshohet për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, grabitje, armë mbajtje si dhe vrasje të policëve e ngelur në tentativë.

Siç mëson gazetarja Anila Hoxha, Hajdini mësohet të ketë thënë: “Unë nuk kam lidhje me ngjarjen. Unë njoh Aleksin (Aleksandrin), vëllain e Admir Murataj, e kam takuar në Gjermani rreth 15 vite më parë.

Në shtetin shqiptar gjendem që prej muajit shtator 2018, pasi vëllai im ka blerë një objekt. Që nga muaji nëntor nuk kam dalë nga Shqipëria.

Jam njohur me ngjarjen para një jave kur dëgjova emrin Daja. Unë jam i pastër, nuk kam lëvizur fare, kam hyrje dalje familjare. Shkova dhe në varrimin e Admir Murataj bashkë me familjarët e mi që erdhën nga Kosova.

Në Tiranë gjatë kësaj periudhe kam qenë vetëm një herë për të blerë pajisje. Jam i gatshëm të vendos para drejtësisë dokumente dhe të ardhurat e mia familjare, dua të ballafaqohem me personin që më akuzon.

Në qoftë se organi i akuzës më gjen një provë te vetme jam i gatshëm të rri në burg për jetë”.

Më tej Hajdini tha se ” jam pyetur edhe dy vite më parë për një grabitje të mëparshme. Dhe dola i pafajshëm s’pati asnjë provë, në qoftë se unë do isha person i dyshuar pse nuk më mbajti shteti shqiptar nën vëzhgim. Pse nuk e hetoni Bengasin , me çfarë kam lexuar ai jetonte në një apartament 150 m2, si më arrestoni thjesht me deklarimet e tij?”

“Ditën e ngjarjes kam qenë duke drekuar në Kavajë bashkë me 5 shokë. Merrni kamerat e sigurisë, është krejt e vërtetueshme se ku isha e ç’bëja”, mësohet të ketë thënë ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA