Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg”, për shtetasin Ragip Hajdini, i akuzuar për grabitjen e Rinasit.
Përpara togave të zeza ai tha se nuk ka lodhje me ngjarjen. Seanca gjyqësore u zhvillua me dyer të mbyllura, pa praninë e medieve. Mësohet se 50-vjeçari mbajti qëndrim mohues gjatë gjithë procesit.
Dyshohet se Hajdini është anëtari i grupi të strukturuar kriminal dhe ndaj tij rëndojnë akuzat si grabitje me armë, armëmbajtje pa leje, vrasjen e efektivëve të policisë, mbetur në tentative, mbi grabitjen e datës 9 prill 2019 në Aeroportin e Rinasit
Deri më tani ka shkuar në 6 numri i të arrestuarve për grabitjen e Rinasit. Ragip Hajdini është nga Kosova dhe u prangos në Kavajë pak ditë më parë, me dyshimet se është njëri nga bashkëpunëtorët e kësaj ngjarjeje të bujshme. Ai është përshkruar nga Alkond Bengasi si “Daja” nga Kosova, i cili takohej shpesh me Klement Çalën dhe Admir Muratajn.
Ragip Hajdini nuk është një emër i panjohur për policinë e shqiptarëve të përtej kufirit. Shtetasi rezulton me precedentë të ngjashëm penalë edhe në Kosovë, aty ku ka qenë i dyshuar për grabitjen e 25 kg ar nga Dhoma e Dëshmive në Policinë e Pejës.
Sipas Prokurorisë së “Eulex”-it, grabitja e sasisë së arit është kryer përgjatë 3 muajve, nga shkurti deri në prill të vitit 2012. Në fakt, të grabisësh një sasi të tillë nuk është ndonjë habi, por fakti që ajo është grabitur brenda ambienteve policore e bëri ngjarjen të bujshme asokohe në mediet kosovare.
Top Channel