Samiti i Berlinit/ Rama takohet me Merkel

29/04/2019 16:28

Ka nisur në Berlin takimi mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe kancelares gjermane, Angela Merkel. I pranishëm në këtë takim është edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Nga sa mund të dallohet edhe në foto, kryeministri Edi Rama shoqërohet nga ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, ministrja e Marrëdhënieve me Parlamentit, Elisa Spiropali.

Gjatë takimit kokë më kokë me kancelaren Angela Merkel, siç edhe u shpreh në një intervistë për Top Channel, kryeministri Edi Rama pritet të kërkojë mbështetje për çeljen e negociatave për anëtarësim.

Intervista me kryeministrin Rama, para takimit me kancelaren Merkel

Muhamed Veliu: Zoti kryeministër, cilat janë pritshmëritë nga ky Samit?

Edi Rama: Është një moment rikapitulimi i 5 viteve proces të Berlinit dhe risia është se jemi në një Samit gjermano-francez me Kancelaren Merkel dhe Presidentin Macron për të adresuar të gjitha aspektet e një procesi historik si dhe për të diskutuar për temat me një rëndësi dhe një peshë të posaçme.

Muhamed Veliu: Çfarë do t’i kërkoni kancelares Merkel dhe presidentit Macron?

Edi Rama: Më lejoni t’ua them pas takimit. Por, sigurisht që për sa na takon do të fokusohemi tek ecuria e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe padyshim tek domosdoshmëria për afirmuar se Shqipëria meriton të hedhë hapin e madh dhe të shumëpritur të negociatave për anëtarësim.

Muhamed Veliu: Nëse shikojmë axhendën, duket sikur i gjithë fokusi është Kosova, po çështjet e tjera a do të diskutohen?

Edi Rama: Në fakt, të gjitha çështjet janë të përfshira, por ka edhe një sesion të veçantë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Pozicioni ynë ka qenë dhe mbetet shumë i qartë. Ne inkurajojmë dialogun dhe do të mbështesim pa rezervë një marrëveshje që ka mbështetjen e plotë të autoriteteve dhe përfaqësuesve të popullit të Kosovës. Si dhe mbështetjen dhe garancinë e SHBA dhe BE.

FOTO GALERI
3/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA