Në Pejë është zhvilluar turneu “Xhudo për paqe”, një turne i organizuar nga Federata e Xhudos në Kosovë dhe Klubi “Ippon” nga Peja.
Në këtë organizim morën pjesë shumë sportistë nga Kosova, Shqipëria dhe vende të tjera të huaja, mes të cilave edhe Turqia.
Xhudistët garuan në disa kategori në këtë kompeticion, ku pati fitues për secilën prej tyre. Sigurisht që nuk mund të mungonin trofetë për sportisten dhe sportistin më të mirë të këtij turneu.
Kështu, xhudistja më e mirë për femra u shpall Fatona Kasapi, që është pjesë e klubit “Ippon” të Pejës, ndërsa për meshkuj, fitues u shpall Festim Beqiri.
Ky i fundit deklaroi se rezultati i arritur prej tij në këtë turne erdhi si pasojë e përgatitjes së mirë fizike dhe asaj psikologjike, duke shtuar se objektivi i tij tani janë kampionati botëror i xhudos dhe Lojërat Olimpike të Tokios.
Nuk mund të mungonte në këtë turne ekipi i Vllaznisë së Shkodrës, nga Shqipëria, për të cilin kjo është e disata herë që merr pjesë në të. Për trajnerin Luigj Shkoza, kjo ngjarje sportive është një eksperiencë fantastike që u shërben të gjithë sportistëve.
Top Channel