Më dukej pak qesharake, por sa e tillë, ishte e dhimbshme. Hajdini ishte më i gatshëm të besonte që mua po më financonte Rusia që të dëmtoja imazhin e shqiptarëve duke shkruar se kishin vrarë hebrenj, sesa të besonte që një shqiptar i vetëm, pasi kishte parë t’i ‘cnderohej’ vajza, e kishte vrarë një hebre të cilin për më tepër, e kishte strehuar më parë.
Jashtë binte një shi miklues. Ndërkohë nga dritarja shihja një të ri që, duke parë herë djathtas herë majtas si të ishte duke bërë dicka ilegale, filloi të spërkaste me spraj murin.
Kosova nuk është vend për jetë,
por vend që merr jetë.
Kush e di c’kauzë i shërben a c’revoltë e ka nxjerrë në rrugë, mendova. Nuk ka tregues më të saktë të identitetit të njerzve, se ajo që i nxjerr në rrugë, ajo që përbën mjaftueshëm shqetësim për ta sa t’i bëjë të trazohen.
Ky është vetëm një pasazh i shkurtër i romanit “Shënimet e krimbit Smolinski” të romancierit të ri, Azem Deliu. I komentuar në shtypin shqiptar e të huaj, si një nga shkrimtarët më premtues të brezit të tij, Azem Deliu suksesin e arriti me romanin paraprak ”Puthësi i paligjshëm”. Romani ”Shënimet e krimbit Smolinski” u shkrua pjesërisht gjatë qëndrimit të autorit në Rezidencën e Artistëve në Poloni. Personazhi krysore i romanit, Piotr Smolinski, shkrimtar i njohur polak, ftohet në një rezidencë artistësh në Kosovë ku ndeshet me mentalitetin e pasluftës, e që në disa pika, i kujton problemet e pas rënies së komunizmit në vendin e tij. Shkrimtari biseksual me vetëbesim të pakët nis në një rrëfim që kapërcen nëpër krejt problemet e fëmijërisë që kanë rezultuar ndoshta, në pasiguritë e tij të sotme. Përballjet e tij me familjen, traditën, kishën e në fund fare me veten, e bëjnë të mbajë nofkën dëshpëruese “krimb i pandershëm”.
Ndonëse një nofkë e vënë nga të tjerët, në këtë roman ajo përjetohet si diçka që buron prej vetes. Sepse, siç thotë Smolinski “Njeriu i merr seriozisht veç ato që ia ka thënë vetes para se t’ia thonë të tjerët”. Ndër të tjera Deliu në bashkëbisedimin për Vitrinën e Librit diskutoi edhe per raportet bilaterale në fushën e kulturës mes dy vendeve si Polonia dhe Kosova, meqë të dyja kanë njohur sistemin komunist dhe kanë përjetuar drama të rënda. Autori ndër të tjera tha se ky roman është një pjesë autobiografi dhe se ai ka gjetur disa elementë të përbashkët në identitetin e personazshit të tij. Më gjatë gjatë intervistës A. Deliu foli dhe për paraqitjen e letërsisë kosovare sot dhe marrëdhënien e saj me lexuesin.
Fragment nga Libri
“Nuk mund të ketë një raport të mirë mes ideologjive dhe humorit”,- m’u kujtua prapë të ketë thënë profesori im i historisë së artit. – “Kjo ngaqë ideologjitë tentojnë të hedhin të vërteta të mëdha, ndërsa humori i zhvesh e i bën të copëtohen përtokë. Nuk ka asgjë më carmatosëse se e qeshura”.
Dhe profesori im kishte të drejtë. Përballë të qeshurës carmatosëse, ideologjitë godasin vetëm moralisht, pra vetëm nën brez. Herë duke luajtur viktimën, herë duke e përqeshur personalisht humorbërësin. Nuk ka asnjë nacionalizëm, asnjë fe, asnjë rrymë mendimi që mund të përballet një kundër një me humorin.
Skeda e Librit
Autori: Azem Deliu
Titulli: Shënimet e krimbit Smolinski
Gjinia: Roman
Shtëpia Botuese: Onufri.
Top Channel