Ukrainë, Presidenti i ri u ofron shtetësi rusëve “të shtypur”

28/04/2019 22:29

Volodimir Zelenski, komediani që javën e shkuar fitoi zgjedhjet presidenciale në Ukrainë, ka refuzuar një ofertë të Vladimir Putinit për t’i dhënë pasaporta ukrainasve dhe premtoi në anën tjetër se do t’i jepte shtetësi rusëve që “vuajnë nën sundimin e Kremlinit”.

Presidenti rus tha të shtunën se Moska po merrte në konsideratë planet për ta bërë më të lehtë për të gjithë ukrainasit të marrin shtetësinë ruse, pasi më herët u kishte premtuar pasaporta separatistëve në lindje.

Kievi lufton me rebelët e mbështetur nga Moska në lindje të Ukrainës që në 2014, në një luftë që i ka marrë jetën 13 mijë vetëve. Zelenski, i cili ulet në detyrë në qershor, iu përgjigj ofertës së Putinit duke bërë një deklaratë në Facebook ku premtonte se do t’i jepte shtetësi përfaqësuesve të të gjithë vendeve që vuajnë nga regjimet autoritare dhe të korruptuara, por mbi të gjitha popullit rus, që vuan më shumë se të gjithë.

“Ne e dijmë shumë mirë se çfarë ofron një pasaportë ruse”, shkruante ai, “të drejtën për t’u arrestuar në protesta paqësore dhe të drejtën për të mos patur zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

Ai tha se një nga dallimet mes Ukrainës dhe Rusisë është se “ne ukrainasit kemi liri fjale, liri të medias dhe internetit në vendin tonë”.

Një rishtar politik, Zelenski ka premtuar se do të inkurajojë bisedimet e paqes me separatistët në lindje. Putin nuk e ka përgëzuar Zelenskin për fitoren, por ka thënë se është i gatshëm të flasë me lidershipin e ri ukrainas dhe se donte të kuptonte pozicionin e aktorit për konfliktin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA