Të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen bashkë të hënën në Berlin me ftesë të kancelares gjermane Angela Merkel dhe Presidentit francez Emmanuel Macron.

Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, ka mundur të sigurojë axhendën e këtij samiti dhe të pjesëmarrjes.

Si çështje e parë në tavolinën e diskutimit do të jetë vëllimi tregtar në rajon.
Një burim diplomatik i tha Top Channel se gjatë diskutimit të kësaj çështje Merkel dhe Macron do t’i kërkojnë lidërëve kosovarë heqjen e taksës me Serbinë. Samiti do të vijojë me diskutimet për raportet e ndërfqinjësisë dhe mundësitë e paktit nga ku do të kërkohet vijimi i dialogut Kosovë-Serbi.

Pika më interesante dhe më e rëndësishme në këtë samit ka të bëjë me vjeljen e mendimeve për stabilitetin në Ballkan dhe të ardhmen e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Mekel dhe Macron do të dëgjojnë nga liderët e Ballkanit këndvështrimet e tyre dhe propozimet se si mund të avancojë dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit.

Shqipëria do të përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama dhe ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

Ndërsa Kosova nga Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj. Përfaqësimi i Serbisë do të jetë President dhe kryeministër.

Me President-Kryeministër do të jetë edhe përfaqësimi i Malit të Zi.

Për pjesëmarrje në këtë samit nuk ka mbërritur ftesë për Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta dhe homologun e tij maqedonas.

Kancelarja Merkel do të zhvillojë një takim me kryeministrin e Republikës së Maqedonisë se Veriut , Zoran Zaev, e më pas do të ketë një bisedë me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Në vijim, Kancelarja do të mbajë një diskutim të shkurtër dypalësh me Presidentin francez Macron, pasuar nga deklaratat per shtyp nga të dy liderët.

Shefja e diplomacisë Mogherini dhe Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn janë pjesë e samitit.

Për këtë samit ka patur komente të ndryshme në mediat gjermane dhe ato austriake nga ku raportohej për një plan të dyshes Merkel-Macron lidhur me çështjen e kufinjve mes Kosovës dhe Serbisë.

Vlen për t’u parë nëse në tavolinën e këtij samiti do të hidhet për diskutim një plan konkret apo jo.

Top Channel