Në vitin 1920, gratë amerikane fituan të drejtën për të votuar. Ky moment historik ishte kulmimi i dekadave të tëra përpjekjesh nga gratë, në nivel shtetëror e kombëtar, për fuqizimin politik të tyre.
Një ekspozitë e hapur rishtazi në Galerinë Kombëtare të Portreteve, Smithsonian në Uashington hedh dritë rreth kësaj historie komplekse duke i paraprirë 100 vjetorit të kësaj ngjarjeje të rëndësishme. Gazetarja e Zërit të Amerikës Julie Taboh njofton:
“Ndërsa qytetërimi amerikan marshonte drejt shekullit të ri, gratë kërkonin marrjen e masave për barazi me burrat…”, thuhet në një videoklip në ekspozitë.
Rrugëtimi i grave në Amerikë për të fituar të drejtën për të votuar ka qenë i gjatë dhe i vështirë.
U deshën dekada të tëra përpjekjesh nga aktivistë si Susan B. Anthony, Elizabeth Cady Stanton dhe Lucy Stone.
Një ekspozitë e re në Galerinë Kombëtare të Portreteve, Smithsonian në Uashington, paraqet një histori të pasur vizive të lëvizjes së grave për të fituar të drejtën e votës, përgjatë një periudhe 130 vjeçare.
“Lëvizja e grave për të fituar të drejtën e votës nuk mbiu nga askundi. Ajo i kishte themelet tek përpjekjet kundër skllavërisë, lëvizja për ndalimin alkoolit dhe kështu ajo mori vrull në të gjithë vendin në fazat e hershme”, thotë Kate Clarke Lemay, kuratore e ekspozitës, Galeria Kombëtare e Portreteve, Smithsonian.
Ekspozita që shtrihet në shtatë salla të galerisë, përmban më shumë se 120 objekte që datojnë prej vitit 1832 deri më 1965.
Portrete të fotografuara e piktura, libra, banderola e postera, ofrojnë një vështrim të thellë të njerëzve e ngjarjeve që ndihmuan në formësimin e historisë amerikane.
Për shembull, a e dinë njerëzit se Victoria Woodhull ishte gruaja e parë që kandidonte për presidente në vitin 1982, apo që aktivistja Lucy Burns ka kryer 6 dënime të ndryshme me burg për shkak se pengoi zyrtarët që punonin në atë kohë në Shtëpinë e Bardhë të hynin në zyrat e tyre?
Apo se një grup grash organizuan marshimin e parë të madh, jo të dhunshëm në Uashington në marsin e vitit 1913?
“Gratë me ngjyrë organizoheshin po aq sa dhe gratë e bardha …”
Rreth një e treta e koleksionit paraqet gratë me ngjyrë, përfshirë edhe gratë afro-amerikane, të cilat ishin shpesh të përjashtuara prej grave të bardha, nga organizatat e mëdha për të drejtën e votës.
“Kjo ekspozitë tregon një histori më të plotë të lëvizjes për votimin e grave duke hedhur një vështrim mbi biografitë e afrikano-amerikanëve, amerikanëve indigjene e grave të tjera me ngjyrë, për të plotësuar historinë që ne njohim sot”, thotë Kate Clarke Lemay, kuratore e ekspozitës, Galeria Kombëtare e Portretit, Smithsonian
Në ekspozitë gjen gra afro-amerikane si Sarah Parker Remond e lëvizjes kundër skllavërisë e cila paraqiti një nga paditë më të hershme kundër ndarjes racore.
Ida B. Wells, e cila mbështeste lëvizjen për ligje federale kundër linçimit dhe Mary Church Terrell, e cila krijoi Shoqatën Kombëtare të Grave me Ngjyrë.
Sot gratë amerikane kanë fuqi të madhe politike. Ata përbëjnë një grup të madh votuesish dhe më shumë se 120 gra shërbejnë aktualisht në Kongres …. shumë të tjera janë në role të rëndësishme udhëheqëse.
“Nëse filloni aty ku ekspozita nis, në vitet 1830 dhe pastaj gjurmoni atë fill prej lëvizjes për të drejtën e grave për të votuar deri sot, kur gratë janë në krye të vendit, mund të shihni vazhdimësinë e fuqishme dhe historinë e një udhëtimi të fuqishëm, që duhet të përshkonin këto gra, për të arritur deri këtu. Jam e etur për të parë se çfarë do të ndodhë nga sot e në vazhdim”./// Marrë nga Zëri i Amerikës
Top Channel