Sërish përleshje në Sri Lanka, dhjetëra të vdekur

27/04/2019 17:17

Incidente të reja me armë zjarri janë regjistruar në rajonin Kalmunai pjesën lindore të Sri Lankës, ku forcat qeveritare dhe persona të armatosur u ngërthyen dje në konflikt vdekjeprurës.

Një zëdhënës i ushtrisë tha se 15 trupa, ndër të cilët gjashtë fëmijë u gjetën brenda dhe rreth shtëpisë ku strehohej grupi i armatosur. Përveç të shtënave me armë, policia njoftoi edhe për shpërthime, të cilat i identifikoi si sulme vetëvrasëse.

Sipas një gazete në Sri Lanka, ushtria ka gjetur në shtëpinë në fjalë 150 blloqe me lëndë plasëse, një uniformë të Shtetit Islamik, një dron dhe një kompjuter laptop.

Klerikët katolikë kanë pezulluar shërbesat fetare të së dielës, pasi zyrtarët kanë paralajmëruar se mund të ketë sulme të tjera. Sulmet e së dielës së kaluar në tre kisha dhe hotele në kryeqytetin Kolombo dhe përreth, lanë mbi 250 të vdekur dhe qindra të tjerë të plagosur. Hetimet vazhdojnë, por autoritetet kanë shprehur bindjen se sulmet ishin vepër e ekstremistëve islamikë.

Top Channel