Në kryeqytetin kinez Pekin, po zhvillohet samitin dyditor për “Rrugën e Re të Mëndafshit”. I pranishëm është dhe ministri gjerman i Ekonomisë, Peter Altmeier i cili është takuar me të ngarkuarin kinez për bisedimet tregtare me SHBA, zëvendëskryeministrin, Liu He. Synimi është te sheshohet konflikti tregtar mes dy ekonomive më të mëdha në botë, SHBA e Kinë, thotë DW.
Altmeier shpreson në zgjidhjen e shpejtë të konfliktit tregtar, i cili cenon edhe ekonominë gjermane dhe atë europiane. Si Gjermania edhe Europa janë të varura fort nga ana tregtare si me Kinën edhe me SHBA. Nga ana tjetër ky konflikt frenon dhe rritjen e ekonomisë botërore. Në samitin dyditor për “Rrugën e Re të Mëndafshit”, janë ftuar përfaqësues nga më shumë se 100 vende, mes tyre edhe 40 krerë shtetesh e qeverish.
Mikpritësi i samitit, presidenti kinez, Xi Jingping theksoi se ekonomia botërore po përballet me faktorë “destabilizues dhe presion në rënie”. Prandaj është shumë e rëndësishme të krijojmë „një botë të ndërlidhur”, është shprehur ai. Me gjithë njoftimet nga Kina se do të ketë përmirësime, shumica e partnerëve, BE dhe vende të tjera janë skeptike ndaj “Rrugës së Re të Mëndafshit”.
Shtetet e bashkuara dhe India nuk dërguan asnjë përfaqësues në samit. Në projektin afatgjatë, Kina synon të bëjë investime në miliarda në rrugë, hekurudha, porte dhe elementë të tjerë të infrastrukturës për të hapur korridore të tjera tregtie në Europë, Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine.
Top Channel