Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ka akuzuar SHBA-në se ka vepruar me qëllime të këqija gjatë samitit të mbajtur më herët këtë vit me Presidentin Donald Trump.
Ai tha po ashtu se paqja në Gadishullin Korean do të varej tërësisht nga Uashingtoni. Kimi i bëri këto komente pas takimit me Presidentin rus Vladimir Putin në Vladivostok. Putin ndërkohë ka pranuar një ftesë për të vizituar Korenë e Veriut, tha agjencia e lajmeve KCNA. Vizita, sipas saj, do të zhvillohet në një kohë të përshtatshme.
Kim Jong-un raportohet se i ka thënë Vladimir Putinit se situata në Gadishullin Korean dhe në rajon ka arritur në një pikë kritike. Ai paralajmëroi se mund të kishte një kthim në gjendjen që ishte pasi SHBA ka patur një qëndrim të njëanshëm gjatë bisedimeve. E gjithë kjo vjen një javë pasi Peniani akuzoi SHBA-në se po dëmtonte bisedimet e paqes.
Negociatat mes dy vendeve u ndërprenë gjatë një takimi në Vietnam në shkurt, pa asnjë marrëveshje të arritur për armët bërthamore të Koresë së Veriut. Raportohet se ato bisedime ngecën pas kërkesës së Koresë së Veriut për heqjen e plotë të sanksioneve ekonomike në këmbim të angazhimeve për denuklearizim, një marrëveshje që SHBA-ja nuk është e gatshme ta bëjë.
Gjatë takimit të së enjtes në Vladivostok, Presidenti Putin duket se është përpjekur të veprojë si një arbitër duke thënë se Kimi kishte nevojë për garanci ndërkombëtare nëse do të përfundonte programin e tij bërthamor. E garanci të tilla do të ofroheshin brenda një kornize shumëkombëshe.
“Ne duhet të kthehemi në një pikë ku ligji ndërkombëtar, jo ligji më i fortë, të vendosë situatën në botë”, tha Putin.
Top Channel