Nga e premtja Prishtina nuk pastrohet më. Kompania përgjegjëse për pastrimin e mbeturinave ka njoftuar përmes një deklarate se nuk do të bëjë grumbullimin dhe largimin e mbeturinave për arsye të bllokimit të llogarive bankare nga kompania për menaxhimin e vendgrumbullimeve të mbeturinave në Kosovë.

Kompania e pastrimit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve deri në zgjidhjen e problemit.

Si pasojë, në Prishtinë kazanët e mbeturinave janë stërmbushur dhe kjo gjendje rrezikon të përkeqësohet nëse problemi nuk do të zgjidhet shpejt.

Vetëm në Prishtinë, kompania “Pastrimi” largon mesatarisht 231 mijë kilogramë mbeturina çdo 24 orë. Komuna e Prishtinës ndërkohë ka thënë se nuk duhet lejuar që për shkak të problemeve dhe çështjeve të pazgjidhuara brenda kompanive publike ta pësojnë qytetarët e Prishtinës.

Sipas komunës, situata e krijuar me mbeturinat është e papranueshme dhe përbën një rrezik serioz për shëndetin publik të qytetarëve.

Top Channel