Shkencëtarët japonezë kanë krijuar atë që ata e quajnë kraterin e parë artificial të një asteroidi, një hap përpara ky drejt hedhjes dritë mbi enigmën se si sistemi diellor është zhvilluar.
Agjencia japoneze hapësinore e bëri njoftimin pasi sonda Hayabusa2 hodhi një mjet shpërthyes në asteroidin Ryugu, më herët këtë muaj, duke krijuar një krater në sipërfaqe, nga ku u mor material që duhet të zbulojë më shumë për origjinën e jetës në tokë.
Juichi Tsuda, menaxher i projektit në agjencinë hapsinore japoneze, konfirmoi lajmin për gazetarët.
“Krijimi i një krateri artificial dhe vëzhgimi i tij në detaje më pas është një përpjekje e parë e këtij lloji. Dhe mund të them se është një sukses i madh”, tha ai.
Sonda e NASA-s “Deep Impact” kishte krijuar më herët një krater artificial në një kometë, në 2005, por vetëm për qëllime vëzhgimi. Qëllimi i sipërmarrjes japoneze ishte marrja e materialeve nga poshtë sipërfaqes së asteroidit që mund të hedhin dritë mbi fazat e hershme të sistemit diellor.
Asteroidi mendohet se mban sasi të mëdha lënde organike dhe ujë nga rreth 4.6 miliardë vite më parë, kur edhe lindi sistemi diellor.
Top Channel