Një superoperacion i kryer në mesnatë nga autoritetet ligjzbatuese të fqinjit të përtej Adriatikut ka çuar drejt prangave dy skafistë shqiptarë, të cilët po i shmangeshin ndjekjes në ujërat e Santa Maria di Leuca, në brigjet puljeze, në bordin e një gomoneje që kishte jo pak, por një ton e gjysmë marijuanë.

Në realizimin e operacionit kanë ndihmuar forcat ajrore dhe ato detare të Italisë, që kanë çuar në sekuestrimin e një gomoneje të fuqishme. Edhe pse tentuan më kot të mos e humbisnin ngarkesën dhe të vijonin rrugëtimin e tyre pa ndalur me objektiv arratinë, fundi ishte i ditur.

Në bordin e gomones 10 metra të gjatë u gjetën 21 koli me lëndë narkotike, të cilat përmbanin gati 1.531 kg marijuanë, që nëse do të hidheshin në tregun e zi do të kapnin një vlerë prej rreth 15 milionë eurosh. Dy skafistët që drejtonin gomonen me dy motorë super të fuqishëm u ndaluan dhe do të përballen tashmë me akuzën për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Gjithçka ishte fryt i bashkëpunimit mes autoriteteve lokale dhe kombëtare, në operacionin “Themis 2019”, të koordinuar edhe nga agjencia për ruajtjen e kufijve të jashtëm të BE-së, “Frontex”.

Top Channel