Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se Samiti i Berlinit, që do të mbahet më 29 prill, është një takim multilateral ku do të diskutohen çështje të ndryshme. Sipas tij, qëndrimet e qeverisë së Kosovës nuk janë vetëm të tijat personalisht, por janë qëndrime të Kosovës.

Haradinaj ndërkohë shprehu bindjen se nuk do të ketë mospërputhje mes qëndrimeve të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe tij: “Do të kemi kohë të flasim me Presidentin dhe do të harmonizojmë qëndrimet, nuk besoj se ka ndonjë dallim në çështje të caktuara”.

Ai po ashtu ka thënë se personalisht nuk ka qëndrime të tjera pos atyre që dihen deri tani, si për dialogun me Serbinë, po ashtu për taksën prej 100% që autoritetet e Kosovës kanë vënë në mallrat e Serbisë dhe Bosnjës. Por, a do t’i mbijetojë taksa doganore Samitit të Berlinit?

“Kuptohet, ne do të kemi kohë që të bisedojmë bashkë me Presidentin para ngjarjeve dhe me siguri që do të harmonizohemi, por unë nuk kam qëndrime të tjera, ne i kemi ato të vazhdueshme që i kemi paraqitur dhe vlejnë”, deklaroi Haradinaj.

Takimi i radhës i liderëve të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet më 29 prill në Berlin, po shihet edhe si një mundësi e mirë që vendet e këtij rajoni të përfitojnë nga projektet e përbashkëta që do të mbështeten nga shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian, kryesuar nga Gjermania.

Udhëheqësit e Kosovës dhe ata të Serbisë pritet të marrin pjesë në një takim joformal në Berlin. Organizatorë të takimit pritet të jenë kancelarja gjermane, Angela Merkel, si dhe Presidenti francez, Emmanuel Macron.

Top Channel