Biden për President. Ish-zv/Presidenti i SHBA shpall synimet për Shtëpinë e Bardhë

26/04/2019 09:20

Shpresa dhe ndryshimi janë lukse të së shkuarës. Joe Biden, po kandidon duke përdorur si armë elektorale frikën. “Nëse i japim Donald Trumpit 8 vite në Shtëpinë e Bardhë, ai do të ndryshojë një herë e përgjithmonë karakterin e këtij kombi”, tha ish-zv/Presidenti në videon në të cilën shpallte hyrjen e shumëpritur të tij në garën presidenciale 2020, një ditë më parë.

“Vlerat themelore të këtij vendi, pozicioni ynë në skenën botërore, demokracia jonë, gjithçka që e ka bërë Amerikën Amerikë, është në lojë. Ndaj, unë sot shpall kandidaturën time për President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shtoi ai.

Ky mesazh është i ndryshëm nga ai i serisë tjetër të aspirantëve demokratë që kanë folur për një erë të re në politikë, bërjen ultra progresive. Por, është sidoqoftë në një linjë me antipatinë që zgjedhësit e partisë ndjejnë kundrejt një Presidenti, retorikat dhe politikat e të cilit i kanë bërë shpesh minoritetet të ndjehen të vëna në shënjestër nga vetë qeveria e tyre, kanë kërcënuar balancën e pushtetit të garantuar nga Kushtetuta dhe kanë tronditur aleancat e hershme amerikane përreth globit.

Pa e thënë këtë, Biden po e prezanton veten si një kthim në normalitet, një kandidat që mund të rikthejë kalendarin amerikan të 2016 dhe të vazhdojë punën e Presidentit Barack Obama, sikur era Trump të mos kishte ekzistuar. E gjithë kjo ka entuziazmuar mbështetësit e tij, por ka bërë edhe që shumë progresivë të pyesin përse Biden nuk ka ofruar një vizion më ambicioz për të ardhmen e vendit, duke u fokusuar tek 4 vitet e tjera të Trump.

Top Channel