“Mos e prekni birrën e ftohtë”, pr/ligji acaron meksikanët

25/04/2019 12:58

Banorët e qytetit të Meksikës mund të lagin fytin e tyre me birrë të ngrohtë, pasi një ligjvënës lokal, paraqiti një mocion për të ndaluar shitjen e pijes së ftohtë në dyqane.

Mocioni është pritur me një shpërthim debatesh në median sociale, dhe do modifikonte ligjet tregtare të qytetit të Meksikës për të ndaluar shitjen e birrës ose pijeve që përmbajnë deri në 7 për qind alkool, që mbahen në frigorifer apo në kushte të ndryshme nga ato të ambientit.

Dyqaneve do tu kërkohet edhe të vendosin njoftime për dënime nëse konsumohen pije alkoolike në publik. Në Meksikë, shiten shpesh birra në shishe të mëdha, familjare, dhe jepen edhe gota plastike që njerëzit i përdorur për ta konsumuar pijen në vend.

Shumë meksikanë reaguan ashpër ndaj perspektivës së blerjes së një shisheje të ngrohtë birre, kjo edhe falë temperaturave shpesh herë të larta në vend.

“Është e pabesueshme që ligjvënësit tanë mendojnë për kaq shumë idiotësi, pa zgjidhur më parë problemet serioze”, shkruanin ata në twitter. Të tjerë sugjeronin që nëse synohet dekurajimi i konsumit të alkoolit, atëherë mund të mjaftojë rritja e taksës korresponduese.

Top Channel