Një ditë pas raundit të parë zgjedhor, dy kandidatët që do të gjenden përballë njëri-tjetrit në balotazhin e 5 majit për Presidecialet në Maqedoninë e Veriut, ai i partive në pushtet, Stevo Pendarovski, dhe Gordana Siljanovska e opozitës, i kanë kthyer sytë nga votat e Blerim Rekës.
Pendarovski e nisi fushatën këtë të hënë me një thirrje drejtuar votuesve shqiptarë, që ta mbështesin atë në raundin e dytë, me qëllim që të mos fitojë – siç u shpreh ai, – opsioni i bllokimit të proceseve euroatlantike.
“Më pëlqeu deklarata e Blerim Rekës një ditë më parë, kur tha se secili nga votuesit e tij janë individë me të drejtë të vendosin vet dhe të votojnë siç duan ata. Mendoj që të gjithë ne duhet ta mbrojmë këtë qëndrim”, ishte komenti i Pendarovksit.
Zgjedhjet në Maqedoni, Presidenti i ri vendoset nga shqiptarët
Por, votat e shqiptarëve i synon edhe krahu tjetër. Igor Janushev, Sekretar i Përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, kërkoi që të gjithë qytetarët pa përjashtim t’i bashkohen konceptit të Siljanovskës.
“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve, duke mos i ndarë në asnjë bazë të mundshme. U bëjmë thirrje të gjitha partive politike, organizatave, shoqatave dhe personave fizike”, ka thënë ai.
BDI, ndërkohë, pretendon se votat e saj ishin arsyeja e avantazhit të Pendarovskit. Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja Besa dhe Reka i mbështetur prej tyre e bënë të qartë pas publikimit të rezultateve të raundit të parë që e skualifikonin këtë kandidat, se nuk kanë për qëllim të orientojnë apo urdhërojnë trupin votues për kë të votojnë, duke mohuar çdo pazar të mundshëm me cilëndo palë.
Pendarovski arriti të siguronte në raundin e parë 42.85% të votave, ndërsa rivalja e tij Siljanovska 42.24%.
Top Channel