Qendrat e votimit u hapen ne 7:00 të mëngjesit në Maqedoninë e Veriut për zgjedhjet presidenciale. 1.8 milion qytetarë me të drejtë vote do të zgjedhin kreun e ri te shtetit.
Votimi për postin gjerësisht ceremonial zhvillohet me pak se tre muaj nga arritja e marrëveshjes së emrit me Athinën, që i dha fund konfliktit disa dekadash mes dy vendeve e i hapi Maqedonisë së Veriut rrugën e anëtarësimit euroatlantik.
Në garë për pasardhësin e Gjorge Ivanovit janë tre kandidatë; Stevo Pendarovski, i nominuar nga Lidhja Social Demokrate dhe 31 parti tjera, përfshirë edhe Bashkimin Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit; Gordana Silajnovska-Davkova e opozitës maqedonase të udhëhequr nga VMRO DPMNE dhe Blerim Reka, kandidat i propozuar nga dy partitë shqiptare të opozitës, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa.
Presidenti mund të zgjidhet në raundin e parë, nëse ndonjëri nga kandidatët merr mbi 50 për qind të numrit të përgjithshëm të votave, por deri me sot kjo nuk ka ndodhur asnjëherë, kështu që balotazhi për ata që do të rezultojnë dy garuesit kryesore, është caktuar të mbahet në 5 maj.
Fushata zgjedhore këtë herë është karakterizuar si më e qetë dhe ndryshe nga të mëparshmet. Pendarovski ka mbështetur fuqishëm Marrëveshjen e Prespës të cilën Siljanovska-Davkova e kritikon edhe pse opozita ka thënë se nuk do ta anulojë.
Reka nga ana tjetër ka vlerësuar se shqiptarët duhet të çlirohen nga kompleksi i inferioritetit të tepruar ndaj maqedonasve dhe se edhe postet kyç në vend mund të udhëhiqen nga shqiptarët. Disa anketa thonë se në balotazh do të përballen Pendarovski dhe Siljanovska Davkova, megjithatë sondazhet nuk nxjerrin pretendent të sigurta.
Top Channel