Ballo vjeneze në Tiranë, ‘Exclusive’ tregon sonte detajet e eventit në Pallatin e Kongreseve

21/04/2019 13:00

Me kohën kanë ndryshuar shumë gjëra, por një gjë mbetet absolute. Valsi gjithherë ka qenë simbol i klasit dhe fisnikërisë. Si i tillë ai merr një kuptim më të veçantë nën moton Vals për Jetën, në edicionin e dytë të Ballos Vjeneze në Tiranë.

Një event madhështor nën kujdesin e Ambasadës Austriake bëri bashkë në Tiranë njerëz të medies, biznesit e politikës, në një natë të madhe kushtuar klasikëve dhe valsit. ‘Exclusive’ ndjek hap pas hapi valsin vjenez që nga konsolidimi i tij përgjatë Kongresit të Vjenës e deri më sot ku njëherë në vit Ëiener Staatsoper shndërrohet në dhomën më të bukur dhe elegante të Ballos të Operës së Vjenës.

“Ndihem shumë mirë, sepse është hera e dytë tani që  realizojmë ballon vjeneze në Tiranë. Ne kemi një traditë shumë të gjatë në Austri të ballove dhe unë jam shumë e lumtur që kemi themeluar edhe në Shqipëri njëfarë traditë të ballove. Tradita e ballove filloi në shekullin e 19, këshu që emi deri tani 200 vite që kemi këtë traditë. Cdo vit në Austri ne kemi më shumë se 400 ballo”, tha Johan Sattler, ambasador i Republikës austriake.

“Është një diçka e zakonshme në kuptimin që balloja është vjeneze, por artistët janë tanët dhe janë më të mirët. Është një kënaqësi që përsëritet sepse muzika e mirë është si vera e mirë. Sa më shumë të kalojë koha aq më shumë krijon fermentin e saj të vërtetë që ka emocionin, që ka ndjenjën, që ka sinqeritetin dhe ku ka sinqeritet atje dhe jeta është më e bukur, e gjithçka kalon më mirë”, tha Zhani Ciko.

Në Vjenë “Opern Ball”, bashkë me Koncertin e Vitit të ri janë dy eventet më të pritura të vitit jo vetëm nga shoqëria e lartë. Sot  dëshira për të sjellë këtë magji dhe elegancë në Tiranë, është dëshmi e kësaj mbrëmjeje të madhe. Përveç kësaj ky event i shërben një kauzë të mirë. Të ardhurat nga loja Tombola e mesnatës do tëe shkojnë për fondacionin “Ti je një luledielli” dhe partner mediatik i këtij eventi është Top Channel.

Top Channel