Mijëra njerëz nga e gjithë Serbia hynë në qendrën e Beogradit të premten në një shfaqje mbështetjeje për presidentin Aleksandar Vuçiç, i cili është ballafaquar me pesë muaj protesta opozitare.

Në një fjalim të gjatë në tubim, Vuçiç bëri thirrje për dialog me opozitën, duke shtuar se nuk do të pranojë asnjë ultimatum nga protestuesit.

Turma mbanin në dorë flakadanë dhe flamuj serbë, ndërsa nuk munguan as daullet e shumta dhe thirrjet “Aco (shkurtimi i Aleksandar) serbi”, në kohën që presidenti u ngjit në skenë për të mbajtur fjalimin.

“Ne nuk kemi njeri më të përshtatshëm për të na udhëhequr, sesa Vuçiç. Ai është shpëtimtar i Serbisë”, tha Nevenka, 28 vjeç, një kameriere nga qyteti jugor i Nishit, e cili dha vetëm emrin e saj.

Vuçiç, një ultranacionalist gjatë luftërave ballkanike në vitet 1990, përqafoi vlerat evropiane përpara se të vinte në pushtet në vitin 2012. Në koalicion me socialistët e Ministrit të Jashtëm Ivica Daçiç, ai kontrollon 160 deputetë në parlamentin me 250 vende.

Opozita, e cila nisi protestat javore në dhjetor, e akuzon atë se po mbyt liritë e mediave dhe po bën një sy qorr ndaj korrupsionit dhe atij që ata e quajnë “aktivitetet kriminale” të bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, përfshirë edhe vëllanë e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA