![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2024/07/0-2024-07-26T234339.544-800x450.jpg)
Në kuadër të planveprimit për garantimin e zbatimit të ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike dhe reduktimin e nivelit të humbjeve, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) vazhdon verifikimet në zonat e konsideruara më problematike.
Gjatë dy javëve të fundit janë realizuar rreth 1000 procedura verifikimi në qytetin e Shkodrës nga Departamentit të Kontrollit dhe Rekuperimit të Humbjeve (njësi e specializuar Task Forcë).
Gjatë dy javëve janë konstatuar 18 raste linjash furnizimi jashtë matjes, 35 raste rilidhjesh të paligjshme, 7 raste furnizimi pa kontratë dhe 3 ndërhyrje në sistemin e matjes.
Në vijim të këtyre rasteve të konstatuara, OSHEE ka depozituar procedim në organet e drejtësisë për 63 konsumatorë (biznese dhe familjarë).
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike do të vazhdojë kontrollet jo vetëm në qytetin e Shkodrës por në të gjithë territorin për të garantuar zbatimin e ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike.
Top Channel