Maqedonia e Veriut do të mbajë raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale këtë të dielë, në procesin e parë zgjedhor që zhvillohet nën emrin e ri të vendit, i cili gjithsesi përballet me probleme afatgjata ekonomike, nepotizëm dhe korrupsion.
Votimi për postin kryesisht ceremonial vjen më pak se 3 muaj pasi marrëveshja historike me Athinën për ndryshimin e emrit hyri në fuqi, duke i dhënë kështu fund një ngërçi disa dekadësh identiteti mes vendeve fqinje.
Mosmarrëveshja lindi pikërisht në momentin e mëvetësisë së vendit nga Jugosllavia në vitin 1991, kur deklaroi se do të quhej Maqedoni përkundër kundërshtive të Greqisë, e cila ka gjithashtu një rajon të sajin verior me të njëjtin emër.
Kryeministri Zoran Zaev dhe homologu i tij grek, Alexis Tsipras, arritën qershorin e kaluar një marrëveshje për t’i shtuar “e Veriut” emrit të Maqedonisë, duke i dhënë fund kështu grindjes 27-vjeçare. Marrëveshja u finalizua në janar, pas një beteje të gjatë politike dhe opozitarizmit të ashpër të nacionalistëve në të dyja anët e kufirit.
Në këmbim të ndryshimit të emrit, Athina dekalroi se nuk do të pengonte më Maqedoninë e Veriut në përpjekjet e saj për integrim euroatlatik, pra për t’iu bashkuar NATO-s dhe Bashkimit Europian.
E ndërsa udhëheqësit europianë festuan marrëveshjen e emrit, njerëzit e zakonshëm nuk e shfaqin kaq hapur entuziazmin e tyre. Shkupi shpreson të nisë bisedimet për anëtarësim me Bashkimin Europian këtë qershor, por analistët thonë se elektorati prej 1.8 milionë banorësh i vendit është më shumë i shqetësuar për problemet e të ushqyerit.
“Kam dëgjuar të flitet për NATO-n, Bashkimin Europian dhe historinë e emrit”, thotë Vera Smajlovska, parukiere nga Shkupi. “Askush nuk do t’ia dijë sesi jetojnë këta njerëz. Iu intereson vetëm pushteti dhe çfarë mundet të gllabërojnë nga ky vend i varfër”, shtoi më tej 47-vjeçarja.
Paga mesatare mujore në Maqedoninë e Veriut është 400 euro, ndërsa papunësia sipas shifrave zyrtare i kalon 20 për qind, sipas Agjencisë Kombëtare të Statistikave.
Shumë votues, të thirrur në proces për të zgjedhur mes tri kandidatëve, “duan t’iu dërgojnë mesazh atyre që nuk duan të dëgjojnë”, thotë analisti politik Arsim Zekoli për “AFP”-në.
“Qytetarët ndihen të manipuluar nga kushdo dhe janë të pakënaqur”, thotë Meri Jordanovska, një reportere investigative. “Nuk mund të vazhdojmë t’iu shërbejmë historinë e BE-së dhe NATO-s përgjithmonë”, shtoi ajo.
Edhe mes atyre që pranuan ndryshimin e emrit, shumë prej të cilëve me ngurrim, janë bindur vetëm nga premtimet për t’u afruar me BE-në, një kthesë që shpresojnë se do të sjellë prosperitet dhe do të forcojë sundimin e ligjit në vend.
Kandidati i socialdemokratëve (LSDM) në pushtet, Stevo Pendarovski këmbëngul mbi agjendën europiane. “Të votosh Pendarovskin (56 vjeç) do të thotë të votosh për edukim europian, paga europiane, një standard europian jetese”, u shpreh kryeministri Zaev. Por, nëse Pendarovski humbet, apo nëse pjesëmarrja është më e ulët se 40 për qind, sa ç’kërkohet që votimi të jetë legjitim, Zaev do të vuajë një goditje të fuqishme. Një rezultat i tillë do të çonte në zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe do t’i hapte rrugën destabilitetit në vendin e paqëndrueshëm ballkanik.
Sfiduesit e Pendarovskit janë Gordana Siljanovska-Davkova, e ekstremit të djathtë, e mbështetur nga partia VMRO-DPMNE në opozitë; si dhe Blerim Reka që përfaqëson një pjesë të shqiptarëve, me mbështetjen e BESA-s dhe Aleancës për shqiptarët. Ky i fundit, një pedagog juridiku 59-vjeçar, kërkon mbështetjen e rreth 20-25% të popullsisë së Maqedonisë së Veriut, që janë shqiptarë.
Pendarovski gëzon një epërsi të lehtë në sondazhet për garën që do të zgjedhë pasuesin e nacionalistit në detyrë, Gjorge Ivanov, të cilit i ndalohet të garojë sërish pas dy mandateve 5-vjeçare. Por sondazhet parashikojnë një raund të dytë, që do të mbahet më 5 maj nëse do të shkohet vërtet, mes Pendarovskit dhe Siljanovska-Davkovës. Kjo e fundit, një juriste 63-vjeçare kundërshton emrin e ri të vendit, por thotë se do ta “respektojë” marrëveshjen nëse zgjidhet presidente.
Maqedonia e Veriut ka humbur gati një çerekun e popullsisë mes viteve 2000-2015, sipas Bankës Botërore.
Top Channel