Ministrja Balluku dhe Schutz nënshkruajnë marrëveshjen për projektin 42 milionë euro

18/04/2019 10:07

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, dhe ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, Susanne Schütz, nënshkruan marrëveshjen për Bashkëpunim Financiar 2018, për projektin “Programi sektorial i ujërave/ Furnizimi me ujë i zonave rurale IV”.

Ky projekt, me vlerë 42 milionë euro, financohet nga Qeveria Gjermane përmes bankës KfW-së ndërsa do të bëjë të mundur realizimin e projektit që hap rrugë furnizimit me ujë të pijshëm të zonave që përfshijnë zonat bregdetare të jugut të Shqipërisë, duke u fokusuar në Bashkinë e Himarës si dhe në zonën e Orikumit.

Në fjalën e saj gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, ministrja Balluku, vlerësoi bashkëpunimin mes qeverisë shqiptare dhe asaj gjermane ndërsa theksoi se në saj të investimin në fjalë do të përfitojnë afro 80 mijë banorë duke përfshirë këtu edhe numrin e turistëve të cilët zgjedhin bregdetin e jugut për të kaluar pushimet.

 

“Zbatimi i këtij projekti do të kontribuojë në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe do të promovojë zhvillimin e turizmit në zonën e projektit, duke çuar numrin e përfituesve në 80 mijë përfshirë edhe turistët”, u shpreh Balluku.
Më tej, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, shprehu bindjen se në saj të mbështetjes së partnerëve strategjik por edhe angazhimit të Qeverisë Shqiptare, do të bëhet e mundur që qytetarët shqiptarë por edhe turistët e huaj që vijnë në vendin tonë, të kenë infrastrukturën dhe standardet e kërkuara.

“Falë bashkëpunimit dhe mbështetjes së partnerëve tanë strategjikë, siç është në këtë rast Qeveria Federale gjermane, por edhe angazhimit serioz të strukturave të Qeverisë Shqiptare, jemi të bindur se do të arrijmë t’u japim qytetarëve shqiptarë, por edhe turistëve të huaj, infrastrukturën e standardeve europiane që kërkojmë të gjithë”, theksoi Balluku.
Nga ana e saj, ambasadorja, Susanne Schütz, tha se projekti është vazhdim i rezultateve pozitive të projekteve pararendëse përmes të cilave u arrit të përmirësohej furnizimi me ujë në më shumë se 160 fshatra të Shqipërisë. “Fokusi ynë tanimë janë zonat bregdetare në Himarë, Orikum dhe disa pjesë të Vlorës. Ne kemi në vëmendje si popullsinë vendase ashtu edhe turistët e shumtë, që do të thotë me fjalë të tjera, se do të sigurojmë një furnizim me ujë të pijshëm, higjenikisht të sigurte, sikundër edhe një trajtim të rregullt të ujërave të ndotura”, tha ambasadorja, Susanne Schütz.

Programi “Furnizimi me ujë i zonave rurale IV” parashikon që përveç veprës së marrjes në Lepushë, e cila do të furnizojë Himarën me ujë të pijshëm, higjenikisht të sigurtë, do të ndërtohen skema të reja të furnizimit me ujë, duke përfshitë këtu depo të reja uji, rrjet të ri shpërndarës, lidhje dhe matësa familjarë në fshatrat Kuç, Buronjë, Pilur, Kudhës, Vuno, Jalë, Livadh, Himarë, Himarë Fshat, Qeparo, Qeparo Fshat etj. Po kështu do të rehabilitohet dhe zgjerohet rrjeti i kanalizimeve në Himarë dhe do të ndërtohet impiant i trajtimit të ujërave të përdorura për Himarën duke mos lejuar përfundimisht derdhjen e ujërave të patrajtuara në bregdetin e Himarës.

Po kështu parashikohet rehabilitimi dhe zgjerimi i rrjetit të kanalizimeve në Himarë dhe do të ndërtohet impiant i trajtimit të ujërave të përdorura për Himarën duke mos lejuar përfundimisht derdhjen e ujërave të patrajtuara në bregdetin e Himarës. Në Orikum do të investohet në rrjetin e furnizimit me ujë, dhe atij të kanalizimeve dhe vënien në punë të impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura të Orikumit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA