Partia Demokratike ka denoncuar përmes një njoftimi për mediat, se policia ka ushtruar dhunë mbi banorët e zonës periferike “Bregu i Lumit” në kryeqytet.
Në një foto të shpërndarë në media, dallohet edhe momenti i përplasjes së ish-deputetit Klevis Balliu me policinë. Sipas PD, kjo është një tjetër provë që policia ka ushtruar dhunë ndaj banorëve, si edhe ish-deputetëve që kanë dalë krah tyre.
Mëngjesin e kësaj të mërkure, në vendngjarje kanë shkuar sërish fadromat e IMT-së që kanë për objektiv prishjen e shtëpive të banorëve të zonës, e sipas PD-së ka pasur edhe përplasje mes tyre dhe policisë.
Selia blu thekson gjithashtu se disa telefonë, me anë të të cilëve është xhiruar ngjarja, janë sekuestruar nga policia, megjithatë pamjet sërish kanë mbërritur në Partinë Demokratike, e cila i cilëson harbute dhe të dhunshme nga policia kundrejt një vajze.
Top Channel