Partia Demokratike bën me dije se ka kallëzuar penalisht Policinë e Shtetit dhe Policinë Bashkiake pas dhunës së ushtruar ndaj banorëve te Bregu i Lumit, më 9 prill, por edhe sot.
Ish-deputetja, Jorida Tabaku bën me dije se Partia Demokratike ka dorëzuar në Prokurori kallëzimin penal dhe kërkon marrjen e masave per sjelljen brutale, joligjore e johumane gjatë të gjithë periudhës kohore të gjashtë muajve të fundit por veçanërisht gjatë mëngjesit të 9 Prillit ku fëmijë, gra e të moshuar u dhunuan barbarisht në gjumë nga shteti që duhet ti mbrojë.
“Një i moshuar 76 vjeçar u operua ne kokë, dy zonja me gjymtyrë të thyera, gra e vajza në komisariat e një fëmijë vetëm 5 vjec përfundoi më komisariat. Kjo sjellje kriminale e policisë duhet të marrë menjëherë përgjigje ligjore dhe urdhëruesit nga Kryetari i Bashkisë, Ministri i Brendshëm deri te Kryeministri duhet të vihen para drejtësisë. Këto sjellje prej banditësh të policisë që dhunën e ka për qytetarët dhe jo për krimin duhet të marrin fund njëherë e përgjithmonë bashkë me bandën në pushtet. Sa kohë që të vazhdojnë për aq kohë qytetarët jo vetëm nuk do të jenë të mbrojtur por do të gjenden nën dhunën e shtetit policor sic ndodhi sërisht sot. Shteti si hajdut shkoi në te gdhirë e dhunoi gra e fëmijë, largoi median e zaptoi banesat. Kjo sjellje duhet të marrë fund. Kjo sjellje prej pushtuesi e arroganti ndaj të dobtëve e te pambrojturve duhet te përfundojë. Kam bindjen që ky kallëzim do të flejë ashtu si flejnë dosjet e korrupsionit e dosjet e krimit, ashtu si fshihen përgjimet e vjedhjes së zgjedhjeve e ashtu si fshihen sa e sa krime. Por e sigurte është që drejtësia vonon por nuk harron! Do te vijë dita kur këto shkelës ligji të vihen para drejtësisë”,- thotë Tabaku.
Më herët LSI kallëzoi penalisht edhe kreun e komisariatit nr.4 Agim Hoxha për dhunën ndaj një gruaje te Bregu i Lumit.
Top Channel