Ministri Gent Cakaj për Top Channel: Vendimi vizave, pasqyrë e klimës politike elektorale në Holandë

17/04/2019 17:45

Në një intervistë për gazetarin Muhamed Veliu, ministri i Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj theksoi se vendimi në parlamentin holandez për të kërkuar rikthimin e vizave me Shqipërinë është politikisht i motivuar.

Muhamed Veliu: Zoti ministër sa shqetësues është vendimi i parlamentit të Holandës për rikthimin e mekanizmit të vizave me Shqipërinë?

Gent Cakaj: Që në fillim dua të sqaroj dy gjëra: E para një vendim i tillë është politikisht i motivuar, pra është më tepër pasqyrë e klimës politike elektorale në Holandë dhe po ashtu pasqyrë e tendencave politike në dritën e zgjedhjeve evropiane se sa reflektim i realitetit faktik dhe zhvillimeve të fundit në Shqipëri.

Në këtë kuptim ne duhet të mbështetemi tek të dhënat e komisionit që janë absolutisht në favorin e Shqipërisë se sa në mbizotërimin e perceptimeve publike momentale të vendeve anëtare.

Aspekti i dytë që dua të sqaroj është në fakt nëse ky votim do të përkthehet në heqje të vizave për shqiptarët. Nga ana proceduriale një proces i tillë është tepër i ndërlikuar, meqënesë pas mocionit në parlament i mbetet qeverisë ta adresojë çështjen në komision. Dhe komisioni gëzon mekanizmin e pezullimit të vizave në kushtet si vijon: e para rritje e konsiderueshme e imigracionit ilegal, e dyta rritje e konsiderueshme e kërkesave për azil , e treta cenim i sigurisë publike të vendeve anëtare, rritja e kriminalitetit dhe po ashtu prapakthimi në zbatimin e kushteve që kanë qenë të nevojshme për liberalizimin e vizave të parashtruara nga komisioni.

Përputhshmërisht në të gjitha kriteret teknike, Shqipëria qëndron në një pozicion solid dhe nuk vlejnë argumentet e parashtruara për motive politike në parlamentin holandez dhe ky nuk është një pozicion personal i imi apo një qëndrim politik i qeverisë shqiptare. Në fakt është konfirmuar në vetë seancën ku është marrë vendimi nga ministri i çështjeve të drejtësisë dhe sigurisë të Holandës. Prandaj ne mbesim besim plotë që Komisioni do t’i hedh poshtë pandehmat e parlamentit holandez dhe natyrisht procesi i liberalizimit të vizave për Shqipërinë do të mbetet i paprekur. Për më shumë dua të theksoj faktin se në dhjetor Komisioni Evropian kur ka bërë vlerësimin e kushteve të vlefshme për të ruajtur liberalizimin e vizave për Shqipërinë ka konstatuar se të gjitha ato janë të përmbushura. Për më shumë ne presim një rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave në maj të këtij viti, duke patur parasysh përparimin në 5 prioritet kyçe të parashtruara nga Komisioni. Kemi të bëjmë me një situatë ku të gjitha argumentet teknike janë në favor të Shqipërisë por për shkak të rrethanave të brendshme të shteteve anëtare dhe mbase në Bashkimin Evropian në përgjithësi ka mbizotërim të herë pas hershëm të zërave politikë, të cilët janë të motivuar nga fryma populiste, parimet euroskeptike dhe qendrimet anti emigracion dhe politikat përjashtuese në përgjithësi.

Muhamed Veliu: Zoti ministër pas këtij zhvillimi a jeni në kontakte me komisionin Evropian për këtë çështje?

Gent Cakaj: Komunikimi me Komisionin Evropian dhe me homologë të tjerë të shteteve anëtare të BE është një praktikë e rregullt e punës tonë ditore. Dhe nga informacionet e bashkëpunimi që zhvillojmë në mënyrë të vijueshme ne presim më tepër lajme të mira nga komunikimi teknik që do të pasojë në maj se sa tërheqje të liberalizimit të vizave për Shqipërinë nga veprimi i fundit në parlamentin holandez.

Muhamed Veliu: Zoti ministër a i druheni një efekti domino pas vendimit të marrë nga parlamenti holandez, pra i druheni që dhe vende të tjera të Unionit mund të ndjekin të njëjtin hap si Holanda?

Gent Cakaj: Ne nuk presim një efekt domino, por është një rast i izoluar politikisht në Holandë dhe pamundësi të përshkallëzimit të përgjithshëm në Evropë. Ajo çka sqarova fillimisht është fakti se ky vendim nuk do të manifestohet në heqje të liberalizimit të vizave për shqiptarët. Nga ana tjetër dua të komunikoj diçka si reagim të shumë tezave që kanë qarkulluar në opinionin publik këto ditë. Një shqetësim tepër legjitim në fakt. Nëse vendimi i fundit nën parlamentin holandez do të reflektojë edhe vendimin në qershor për hapjen e negociatave. Ne duhet të kemi parasysh që pas procesit elektoral që karakterizon aktualisht Evropën, klima politike do të jetë krejtësisht tjetër pas majit dhe tutje, po ashtu edhe argumtet do të ndryshojnë rrënjësisht pas publikimit të raportit të Komisionit. Ne besojmë që vendimi për Shqipërinë do të merret mbi konsideratat teknike të Komisionit dhe një Evropë e cila është e liruar nga presioni elektoral populist euroskeptik dhe asesi mbi sinjalet e izoluara që janë përhapur këto ditë në Holandë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA