Shkencëtarët në universitetin e Tel Avivit, prezantuan një zemër të printuar në 3D me inde trupore dhe enë gjaku, të hënën, duke e quajtur këtë një arritje të madhe mjekësore, që çon në një stad tjetër mundësitë e transplanteve.
Zemra, në përmasat e një zemre lepuri, është e para e projektuar dhe printuar bashkë me qelizat, enët e gjakut, barkushet dhe dhomat.
Tal Dvir, që ka udhëhequr projektin, thotë se struktura e një zemre është printuar në 3 D edhe më parë, por jo me qeliza apo me enë gjaku.
Sidoqoftë, shkencëtarët thonë se ka ende shumë sfida para se zemra të printuara në 3D, funksionale, të jenë të disponueshme për transplante. Gazetarëve iu tregua zemra e printuar në 3D me përmasat e një qershie, në universitetin e Tel Avivit të hënën.
“Faza e radhës është të maturojmë këto zemra në laborator për të paktën një muaj, për të ndihmuar qelizat apo për t’iu mësuar atyre si të ndërveprojnë me njëra-tjetrën dhe si të prodhojnë sinjale elektrike dhe të kenë kontraktime në sinkron apo aftësi pompuese”, tha Tal Dvir.
Tani kërkuesit duhet t’i mësojnë zemrës së printuar, të sillet si një zemër e vërtetë. Pas kësaj, ata do t’i transplantojnë ato në kafshë model. Ndoshta brenda 10 vjetësh, do të ketë printera organesh në spitalet e botës dhe këto procedura do të kthehen në rutinë – thonë shkencëtarët.
Top Channel