Për refugjatët që duan të shkojnë në Europën Qendrore nga Greqia, lëvizja po bëhet gjithnjë e më vështirë. Ata flasin për dhunë policore e arrestime arbitrare, megjithatë – thotë “Deutsche Welle”, – nuk janë të paktë ata që e provojnë sërish rrugën e rrezikshme.

Në fillim të prillit, policia greke përdori në afërsi të Selanikut gaz lotsjellës, për t’i penguar emigrantët të merrnin rrugën drejt Maqedonisë së Veriut.

Lajmet e rreme të përhapura në rrjetet sociale i shtynë të besonin se ishin hapur kalimet kufitare atje dhe në Shqipëri. Për shkak se refugjatët pa leje hyrjeje nuk mund t’i kalojnë më kufijtë nga Greqia në Maqedoninë e Veriut dhe nga Serbia në Hungari, u krijua një itinerar alternativ ndërmjet Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës drejt Kroacisë.

Në shtetet e Ballkanit Perëndimor ndodhen rreth 10 mijë emigrantë; më pak se 4.000 prej tyre janë në Bosnje, sipas një raporti të IOM-së. Kjo konfirmon që itinerari i refugjatëve ka ndryshuar në drejtim të Veriut.

Qeveria boshnjake pret një rritje të mëtejshme të numrit të refugjatëve, që e synojnë këtë vend me shpresën ta përdorin si trampolinë për të kaluar në shtetet e Europës Perëndimore. Në rrugën e tyre nga Greqia drejt Bosnjes ndodhet Shqipëria, e që kur është krijuar itinerari alternativ, policia shqiptare kap shumë më tepër emigrantë pa dokumente.

Në vitin 2018, sipas IOM-së ishin 3.400 të tillë, krahasuar me vetëm 750 emgrantët e ndaluar në 2017-n.

Top Channel