Misioni i parë i financuar privatisht në Hënë është përplasur në sipërfaqen e satelitit pas një defekti në motorin kryesor të tij. Anija izraelite e quajtur Beresheet provoi një ulje të butë në sipërfaqe, por pati probleme teknike në zbritjen në sipërfaqen e Hënës.

Qëllimi i misionit ishte marrja e fotove dhe kryerja e eksperimenteve. Izraeli shpresonte të bëhej vendi i katërt që do të ulte një anije hapësinore në Hënë. Vetëm agjenci hapësinore qeveritare nga ish-Bashkimi Sovjetik, SHBA dhe Kina kanë bërë deri më tani ulje të suksesshme në Hënë.

“Ne nuk ia dolëm, por provuam”, tha mbështetësi dhe organizatori kryesor i projektit, Morris Kahn.

“Unë mendoj se arritje është të shkonim deri atje, është vërtetë e jashtëzakonshme, diçka për të cilën ne duhet të jemi krenarë”, shtoi ai.

Kryeministri Benjamin Netanjahu, që shikonte nga dhoma e kontrollit afër Tel Avivit, tha: “Nëse nuk ia dilni mbanë me përpjekjen e parë, ju do të vazhdoni të përpiqeni sërish”.

Pas një udhëtimi 7-javësh drejt Hënës, anija hapësinore pa pilot arriti në orbitën finale 15 km larg nga sipërfaqja. Tensionet në qendrën e komandës ishin të dukshme në kohën e humbjes së lidhjeve me anijen dhe zyrtarët konfirmuan se kishte patur një defekt teknik në të, që fatkeqësisht kishte bërë që të mos realizohej një ulje e suksesshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA