Policia greke ka goditur një tjetër rast të piraterisë televizive. Pas ndjekies së gjurmëve elektronike të disa personave të dyshuar, forcat e policisë së Selanikut kanë ndërhyrë në një banesë në zonën e Katerinit, 70 km në perëndim të qytetit bregdetar.
Aty gjetën dhe sekuestruan dy kompjutera, dy hard disqe (HDD), karta të platformave televizive të vendeve të rajonit si dhe ato të vendeve të Lindjes së Mesme, lexues kartash (cart reader) dhe pajisje të tjera ndihmëse për shpërndarjen e sinjalit televiziv.
Prej hetimeve rezultoi se, në banesën e përdorur për shpërndarjen e sinjalit televiziv të piratuar ishin vendosur edhe pajisje kompjuterike për verifikimin e pagesave prej klientëve të kësaj platforme të jashtëligjshme.
Burime policore sqaruan për Top Channel se pronari i kompanisë që merrej me shitjen e pajisjeve elektronike kishte degë në Bullgari, Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Serbi. Ai është shtetas grek dhe banon në Katerini.
Policia deklaroi se, veç të arrestuarit, në gjykatë u dorëzua padi edhe për 6 shtetas të tjerë grekë, po ashtu nën akuzën e piraterisë televizive. Policia dyshon se i arrestuari dhe bashkëpunëtorët e tij kanë përfituar shuma të mëdha prej piraterisë televizive gjatë viteve të fundit.
Policia greke iu bën thirrje të gjithë shtetasve grekë dhe të huaj të mos bien prè e piratëve dhe të mos blejnë pajisje në rrjetet sociale apo në internet, por t’iu drejtohen pikave zyrtare të shitjeve të platformave televizive, ku të furnizohen me aparatura të ligjshme, të cilat paguajnë jo vetëm të drejtat e autorëve, por edhe taksat dhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.
Top Channel