Deputeti Ralf Gjoni i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka kundërshtuar ofertën e mazhorancës për t’i lënë një derë të hapur opozitës jashtë Parlamentit, me statusin e “vëzhguesit” në Komisionin e Reformës Zgjedhore.
“Ku e ka dëgjuar kryeministri? Në cilin vend anëtar të BE-së ka dëgjuar fjalën ‘vëzhgues’ apo ‘monitor’ me të drejtë vetoje. Nuk ka asnjë lloj kuptimi. Nuk mund të bëhet Reformë Zgjedhore nëse ne nuk fillojmë të hapim debatin kombëtar për ndryshimin e sistemit zgjedhor, duke përfshirë këtu edhe Partinë Demokratike, edhe LSI-në. Të ulemi të diskutojmë ndryshimin e objektit të Komisionit për Reformën Zgjedhore, ku të fusim një pikë: diskutimin e hapur kombëtar, gjithëpërfshirës, për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Ky është kushti im, personal të paktën, për pjesëmarrje në atë komision. Nuk mund të ketë Reformë Zgjedhore pa ndryshim sistemi”, tha deputeti Ralf Gjoni.
Edhe në këtë seancë, Myslim Murrizi kërkoi ndryshimin e Kodit.
“Në mars ndodhi Gërdeci, në prill të po këtij viti Gërdeci kapi prej fyti Kushtetutën, që prej 11 vitesh nuk e ka lëshuar dhe po e detyron të japë shpirt në këtë agoni të sistemit neokomunist, ku kemi hyrë pa e kuptuar prej 3 palë zgjedhjesh. Ku janë ngritur përsëri sekretarët e parë që diktojnë çdo gjë dhe mbrojnë çdo karrige në këtë sallë. Zgjedhin e komandojnë nga kjo sallë çdo njeri këtu pas (foltores)”, deklaroi deputeti i PD-së, Myslim Murrizi.
Ndërsa Rudina Hajdari preferoi të mos iu bashkohej diskutimeve për Kodin, por u ndal në Reformën në Drejtësi.
“Duhet t’i kujtojmë qeverisë shqiptare se përveç disa individëve që kanë dalë nga sistemi dhe janë zëvendësuar nga disa të tjerë, nuk ka pasur asnjë gjë të prekshme për qytetarët shqiptarë deri më sot”, tha deputetja demokrate, Hajdari.
Top Channel