Shumë prej miliarderëve të sotëm i kanë bërë paratë pasi arritën të parashikojnë fuqinë e internetit kur ky i fundit ende nuk ishte përhapur. Askush prej tyre nuk ka qenë më i suksesshëm se Xhef Bezos, themeluesi i Amazon.com, që tani është njeriu më i pasur në botë (sa pa përfunduar plotësisht me divorcin).
Në një intervistë në vitin 1997, kur ai e nxori Amazon-ën në bursë dhe mori 54 milionë dollarë si ofertë fillestare, duke u bërë kështu milioner, Bezosi tregon se si i erdhi ideja për biznesin në internet. Ai kishte qenë në Nju Jork, në vitin 1994, duke punuar për një kompani që menaxhonte fonde investimesh. Aty pa statistikat se si përdorimi i internetit po rritej me shifra ekstreme, me 2300% në vit. Kjo e frymëzoi që të kërkonte një plan biznesi që do të kishte logjikë në kontekstin e rritjes nëpërmjet internetit.
Pasi bëri një listë me 20 produkte të ndryshme që donte t’i shiste në internet, ai zgjodhi librat si produktin e parë më të përshtatshëm. Po pse pikërisht librat? Sepse kategoria “libra” ka më shumë artikuj se çdo kategori tjetër.
Si e llogariti parashikimin e suksesit?
Ai i krahasoi librat me muzikën, që për të ishin produkti i dytë më i vlefshëm për t’u shitur në internet. Bezos kishte llogaritur se ekzistonin rreth 200 mijë disqe CD me muzikë në të gjithë botën (mos harroni që po flasim për vitin 1997), si dhe 3 milionë libra aktivë, që shiteshin e bliheshin nga njerëzit në gjuhë të ndryshme, gjysma e të ciëlve në anglisht.
Për këtë arsye, Bezos thotë se shitja e librave dhe e muzikës në internet nuk kishte se si të mos kishte sukses. Dhe gjenialiteti për të njohur këtë potencial shoqërohej edhe nga vizioni i tij për ta bërë këtë biznes të funksiononte siç duhej. Kompania e tij kishte në inventar vetëm pak mijëra libra, që ishin më të shiturit, ndërsa aksesin te 400 mijë libra të tjerë e garantonte nëpërmjet një rrjeti shpërndarësish me shumicë. Këto mund t’u dërgoheshin blerësve brenda një dite.
Më pas, Amazon bëri marrëveshje me 20 mijë shtëpi botuese, gjë që i dha akses te 1.1 milion libra të cilët mund të dërgoheshin deri në dy javë. Veç shtëpive, më pas u lidhën edhe me dyqane e tregtarë që dhanë akses te 1 milion libra të tjerë tashmë të printuar.
Mendësia dixhitale që në kohën e shtypshkronjave
Themeluesi i Amazon shpjegon se si kompania e tij kishte arritur ta tërhiqte vëmendjen e njerëzve edhe gjatë kohës kur kishte tejngopje informacioni. Sekreti i tij? “Të ofrosh diçka të re dhe rinovuese, një biznes në internet që nuk ka të dytë, dhe që ka vlerë faktike për konsumatorin.” Kjo krijon mundësi marketingu në gazeta dhe përhap përshtypje pozitive mes njerëzve, gjë që e ndihmon shumë biznesin. Në vitin e parë, fuqizimi i Amazon nuk u bë nga reklamat, por nga këto përshtypje të mira që njerëzit i përhapnin me gojë te njëri-tjetri, si dhe nga ekspozimi automatik nëpër media.
Në fakt, për sa i përket reklamave, që në ato vite, interesi i Bezosit ishte që të favorizonte reklamat dixhitale, jo ato tradicionale në televizione e gazeta, pasi dixhitalet mund të gjurmoheshin lehtë për sa i përket rezultateve te konsumatori. Këtë mundësi që fronte interneti me reklamat, Bezos e quan Nirvana” e marketingut.
“Më e pabesueshmja është se tani jemi në hapin e parë. Jemi vetëm në fillim. Është faza e parë fare e përhapjes së tregtisë në internet”, tha Bezos në vitin 1997.
Në fund të intervistës ai madje bën një parashikim, dhe thotë se edhe pas 1000 vitesh, njerëzit do të thotë se shekulli i 20-të ka qenë një kohë e bukur për të jetuar.
Top Channel