Nga centralet me qymyr e deri tek aeroportet, urat dhe IT, Kina po kërkon me ngulm investime në Ballkanin Perëndimor, duke hapur rrugën për një betejë të re për ndikim në portat e Bashkimit Evropian.

Perëndimi prej kohësh ka parë Rusinë si rivalen e saj në këtë qoshe të trazuar të Evropës Juglindore. Por, tani ka një tjetër lojtar të madh në fushë, me kompanitë kineze që po mbushin hendeqet e zhvillimit në këto vende me financa jo të forta, ku ëndrrat për të hyrë në BE vazhdojnë të zvarriten në horizont.

Sipas agjencisë franceze të lajmeve AFP, BE-ja është përgjegjëse për 60% të investimeve direkte totale në rajon, një zonë që përfshin Serbinë, Bosnjen, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Kosovën, ndërsa Kina pak më shumë se 2%. Por, Kina në 6 vitet e fundit ka avancuar në shpenzimet e lidhura me infrastrukturën, duke rivalizuar shumat e shpenzuara nga BE-ja dhe po lë gjurmë të dukshme.

Si një portë drejt Evropës Jugore, Ballkani është një pjesë kyçe e pazëllit të Pekinit “Një brez, një rrugë”, një projekt ky që vlerësohet se vlen më shumë se 1 trilion dollarë e që synon të hapë rrugën për eksportet kineze në Evropë dhe përtej saj. Ky projekt do të jetë në qendër të diskutimit në një samit në Dubrovnik, të premten, ku do të mblidhen liderë nga Pekini dhe 16 vende të tjera evropiane, përfshirë 5 shtete ballkanike.

Në Perëndim, ky grupim është parë me dyshim, si një përpjekje kineze për të ndarë bllokun. E kjo ka bërë që Brukseli të nisë të marrë masa për të penguar ofensivën e gjigandit aziatik. Sidoqoftë, Ballkani Perëndimor mbetet një fushë e hapur jashtë BE dhe gjithnjë e më shumë po tërheq Kinën.

Nga 2007 në 2017, Pekini ka shpallur 12 miliardë euro hua për projekte ndërtimi në 16 vende, një e treta e të cilëve në Serbi, pasuar nga Bosnja dhe Mali i Zi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA