Pas grabitjes së ndodhur një ditë më parë në aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë, “Austrian Airlines” ka vendosur ndërprerjen e transfertave të parave “cash” nga Tirana drejt Vjenës.

Kjo është konfirmuar nga zëdhënësja e kompanisë, Tanja Gruber, e kontaktuar nga mediat ndërkombëtare, që i kanë kushtuar jo pak vëmendje ngjarjes. Për britaniken “The Guardian”, Gruber thotë se paratë e grabitura po ngarkoheshin në avion në momentin kur ndodhi grabitja, ndërkohë që nuk ka patur rrezik për ekuipazhin apo pasagjerët.

Nisja e avionit pas kësaj u shty me afro tre orë.

“Si masë sigurie, nuk do të ketë më transferta parash “cash” drejt Vjenës”, thotë Gruber. Sipas “The Guardian” dhe mediave të tjera ndërkombëtare, paratë e grabitura po dërgoheshin nga një bankë e huaj që operon në Shqipëri drejt Vjenës.

Këto banka i dërgojnë valutat e forta në kryeqytetin austriak, pasi banka qendrore shqiptare nuk i pranon këto depozita. Grabitja spaktakolare në Aeroportin e Rinasit është pasqyruar nga një numër i madh mediash botërore ndër të cilat BBC, The Guardian, New York Post, Daily Mirror, Daily Mail, Daily Express etj. Ato sjellin dinamikën e plotë të ngjarjes dhe shkruajnë se shuma e vjedhur ishte 2.5 milionë euro, pavarësisht se përmendin edhe mediat shqiptare që flasin për një shumë deri në pesë herë më të madhe.

Top Channel